Ekspertët për integrime evropiane thonë se Kosova nuk po zbaton kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian, gjë që, sipas tyre, duhet bërë për të dëshmuar se vendi ka perspektivë evropiane. Ata shprehen skeptikë për Raportin e ardhshëm të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, ndërsa kritikojnë veprimet e bëra nga institucionet vendore në përmirësimin e kritikave që dolën nga raporti i viti të kaluar.

Reformat për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk mund të zbatohen në mënyrë deklarative, por duhet të shndërrohen në prioritet kombëtar gjithë-institucionalë, thonë njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë.

Ata vlerësojnë se që nga Raporti i fundit i Progresit institucionet kosovare kanë vendnumëruar në përmirësimin e kritikave që dolën nga ai dokument.

Ish-shefi i Agjencisë për Integrime Evropiane, Shenoll Muharremi, thekson rëndësinë që zbatimi i reformave drejt integrimit evropian të bëhet prioritet i punës gjatë gjithë vitit, e jo vetëm, siç tha ai, në prag të vizitave të zyrtarëve evropianë në Kosovë apo publikimit të dokumenteve të këtij mekanizmi për Kosovën.

“Kosova nuk do të arrijë progres përderisa kryeministri i Kosovës, çdo ditë në mëngjes – në orën 9 në kohën kur shkon në punë, fillon të mendojë se çfarë duhet të bëjë sot, në mënyrë që të avancojë reformën dhe ta avancojë përparimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë fatkeqësisht nuk po ndodh dhe nuk mjafton që një ministër i integrimit evropian ose një ministër i Punëve të Brendshme të angazhohet për këtë agjendë. Kjo është një agjendë kombëtare dhe një agjendë, me të cilën kryeministri duhet të merret në baza ditore dhe jo vetëm para Raportit të Progresit”, thotë Muharremi.

Vlerësimi i tij vjen pak ditë pas vizitës në Kosovë të presidentit të Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, komisionarit për Zgjerim Stefan Fyle, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të BE-së.

Pas takimeve që zhvilluan me ta, udhëheqësit e Kosovës u zotuan për përmbushjen e kritereve të vëna nga BE-ja në mënyrë që, siç thanë ata, raporti i ardhshëm i Progresit i Komisionit Evropian të jetë më pozitiv.

Mirëpo, profesori i disa lëndëve lidhur me integrimet evropiane në Universitetin e Prishtinës, Avni Mazreku, e vlerëson të pamjaftueshme këtë qasje.

“Procesi i integrimeve evropiane nuk është proces deklarativ, ashtu siç i qasen përfaqësuesit e institucioneve vendimmarrëse të Kosovës. Në raste të caktuara ata mendojnë se me një deklaratë të mirë ose pozitive mund të përmbushet një kriter i caktuar. Kjo nuk qëndron-duhet të ndërrohet kjo qasje dhe njerëzit që janë të involvuar në institucionet e Kosovës, që kanë përgjegjësi për këtë proces, duhet të ndërtojnë kapacitetet kompatibile për t’u marrë me atë proces”, vlerëson Mazreku.

Ai thotë se sundimi i ligjit, si një nga fushat, për të cilat Kosova u kritikua në Raportin e Progresit të vitit 2010, kërkon përforcimin e institucioneve të kësaj fushe, raporton REL.

“Ne kemi një agjenci anti-korrupsion në Kosovë dhe unë personalisht kam pasur dhe kam dyshime në shkallën e efikasitetit të kësaj agjencie, nëse vërtet buxheti i Kosovës ka nevojë të mbingarkohet me linja ekstra buxhetore për të pasur në agjenci të tillë, përderisa ne kemi mungesë të theksuar të gjyqtarëve e prokurorëve”, shprehet Mazreku.

Përveç sundimit të ligjit, sipas Muharremit, Kosova vazhdon të ballafaqohet me probleme edhe në kriteret ekonomike dhe ato që kanë të bëjnë me standardet evropiane.

“Prej Raportit të fundit të Progresit Kosova nuk ka pasur progres të theksuar në elementet kyçe, për të cilat është kritikuar në vitin e kaluar, siç është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe Kosova ekonomikisht nuk e ka një ide të qartë se si të bëjë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thekson Muharremi.

Sipas Muharremit, dështimi, siç e quajti ai, në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe fer, mungesa e angazhimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mungesa e autoritetit shtetëror në veri të Kosovës, mosfunksionimi i ekonomisë së tregut dhe mungesa e një plani zhvillimor nacional me theks në zhvillimin socio-ekonomik mund të jenë kritika eventuale edhe në Raportin e Progresit të viti 2011.

SHPËRNDAJE