KFOR-i ka shprehur habi për raportimet e mediave serbe se gjoja KFOR-i ka pasur marrëveshje me pjesëtarët e Kuvendit Komunal të Zveqanit për qarkullim të EULEX-i dhe të KFOR-it në atë pjesë.

Zyrtarë të kësaj force kanë thënë një konferencë për media se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje as tash dhe as që ka pasur ndonjëherë në të kaluarën.

Këto komente i ka bërë zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Novitzki, i cili i ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe se KFOR-i së bashku me strukturat paralele të pjesës veriore të Mitrovicës kanë arritur marrëveshje për qarkullimin e automjeteve të EULEX-it dhe të KFOR-it.

Zëdhënësi i KFOR-it ka thënë se gjatë bisedave dhe takimeve me pjesëtarët e Kuvendit Komunal të Zveqanit, kur KFOR-i e ka kuptuar se në atë takim pritej të flitej për orarin e lëvizjes së kësaj force, përfshirë këtu edhe numrin e automjeteve të EULEX-it, atëherë KFOR-i është larguar nga ai takim dhe, sipas tij, kjo për ta është e papranueshme.

“Është e çuditshme për ne se si menjëherë pas deklarimit për media të ndonjë prej anëtarëve të komunave të veriut të Kosovës, ajo deklaratë do të shtypet dhe publikohet pa ndonjë konfirmim nga një burim dytësor. Madje ajo është kopjuar nga mediat tjera gjithashtu. Nuk ka marrëveshje dhe asnjëherë nuk ka pasur të tillë në të kaluarën! Përfaqësuesit e KFOR-it u larguan nga bisedimet të premten kur u kuptua se pjesëtarët e Kuvendit Komunal të Zveqanit vetëm kanë dashur të diskutonin orarin e lëvizjes së KFOR-it, përfshirë numrin e automjeteve të EULEX-it apo edhe kohën brenda ditës. Kjo është e papranueshme. Mandati i KFOR-it është të sigurojë liri të pakushtëzuar të lëvizjes. Prandaj KFOR-i nuk ka negociuar, nuk e bën dhe nuk do të negocioj asgjë në lidhje me lirinë e lëvizjes”, ka thënë Nowitzki.

Ai ka shtuar se për KFOR-in është shumë me rëndësi që të sigurohet ambienti i qetë dhe i sigurt për të gjithë dhe ka thënë se kjo forcë kërkon liri të pakushtëzuar të lëvizjes, jo vetëm për KFOR-in, por edhe për EULEX-in, në mënyrë që ta përmbush misionin e vet.

Mirëpo, kur është pyetur nga gazetarët se çfarë mendon për deklaratat e bëra nga shefi i tij, Erhard Drews se zgjidhja për veriun e Kosovës duhet të jetë politike në mes të dyja vendeve, ai ka thënë se nuk i komenton ato deklarata politike, por shtoi se Drews e ka thënë atë se zgjidhja duhet të jetë politike.

“Unë nuk komentoj deklarata politike, por komandanti i KFOR-it ka thënë se zgjidhja për veriun në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë politike”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Nowitzki e ka përsëritur se në asnjë mënyrë KFOR-i nuk ka negociuar me serbët e veriut për qarkullimin e KFOR-it dhe të EULEX-it dhe ka shtuar se vënia e bllokadave rrugove është qartë kundër çfarëdo ligji dhe liria e lëvizjes është e nevojshme.

SHPËRNDAJE