Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, ka shkaktuar vërshim të kritikave në gjithë botën, por nuk ka shkaktuar dhunë të menjëhershme, ashtu siç parashikonin disa liderë botërorë.

Vetëm Izraeli e ka mirëpritur shpalljen e mbrëmshme të zotit Trump si “akt të guximshëm dhe të drejtë”, ndërsa aleatët amerikanë, nga Gjermania, Arabia Saudite dhe Britania, e deri te Bashkimi Evropian, e kanë dënuar atë dhe thanë se do t’i vështirojë negociatat për arritje të paqes në rajon.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, për transmetuesin publik, ARD, vlerësoi se “ky është problem i madh” dhe se me gjasë do të “hedhë benzinë në zjarr” dhe kjo do të shkaktojë “përshkallëzim të ri në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve”.

Palestinezët kanë shpresuar për ta shpallur kryeqytetin e tyre në pjesën lindore të Jerusalemit, në kuadër të opsionit shumë të diskutuar për zgjidhjen e konfliktit me Izraelin me dy shtete. Por, një negociator i lartë palestinez tha mbrëmë se tash me shpalljen e Trumpit, kjo mundësi “është shkatërruar”.

Shumica e shteteve nuk e njohin sovranitetin e Izraelit ndaj gjithë qytetit të Jerusalemit, ku gjenden shumë vende që konsiderohen të shenjta nga myslimanët, hebrentjë dhe të krishterët.

Presidenti i Autoritetit Pelstinez, Mahmud Abbas, tha se Shtetet e Bashkuara më nuk mund të luajnë rolin e ndërmjetësuesit paqësor në dritën e asaj që vendimin e Trumpit e ka cilësuar si “të dënueshëm”, e i cili i “shkatërron të gjitha përpjekjet për paqe”.

Image

Palestinezët mbajnë në duar fotografi të presidentit Donald Trump, gjatë një proteste në qytetin Ramallah më 6 dhjetor.

FOTO GALERI

Arabia Saudite, të cilën Trump e konsideron aleat të afërt, lëvizjen e presidentit amerikan e ka vlerësuar si “të papërgjegjshme”, e cila, do të shkaktojë “regres drastik në përpjekjet për ta lëvizur përpara procesin e paqes”.

Tetë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shumica e tyre aleatë amerikanë, përfshirë Britaninë, Francën, Egjiptin, Italinë dhe Suedinë, kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për këtë lëvizje.

“Në këtë moment të shqetësimit të madh, dëshirojë të jem i qartë: nuk ka alternativë tjetër ndaj zgjidhjes me dy shtete”, tha sekretari i pëgjithshëm i Kombeveve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Gjatë deklaratës së tij presidenti Trump tha se “ne përfundimisht e njohim atë që është evidente – se Jerusalemi është kryeqytet i Izraelit” dhe ka shtuar se “Izraeli është shtet sovran me të drejta sikur të gjitha shtetet e tjera sovrane për ta përcaktuar kryeqytetin e vet”.

Zoti Trump e ka urdhëruar Departamentin amerikan të Shtetit për fillimin e përgatitjeve për lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jerusalem, në procesin i cili konsiderohet se mund të zgjasë tri-katër vjet.Kjo shpallje e ka kthyer prapa politikën amerikane për disa dekada se statusi i Jerusalemit duhet të vendoset në negociata me palestinezët.

Image

Izrael: Një punëtor vendos flamurin amerikan në një shtyllë që gjendet në rrugën ku ndodhet konsullata e SHBA-së në Jerusalem. 6 dhjetor, 2017

FOTO GALERI

?Trump tha se ai ende synon “të bëjë çdo gjë të mundshme për të ndihmuar” për gjetjen e marrëveshjes paqësore të pranuar nga izraelitët dhe palestinezët.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshëndetur këtë vendim si “historik” dhe ka kërkuar nga vendet e tjera që të veprojnë si Shtetet e Bashkuara, duke i lëvizur ambasadat e tyre.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendimi i Trumpit është “për keqardhje”.

“Është për keqardhje vendimi të cilin Franca nuk e miraton dhe i cili është kundër së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Macron

SHPËRNDAJE