Urtak Hamiti ka lënë prapa krahëve historinë e vitit 2013, kur ballinat e mediave ishin mbushur me detaje të skandalit diplomatik, të cilin e kishte shkaktuar në Zagreb. Tash, nga drejtuesit e Universitetit Publik të Gjilanit, i është mundësuar që të angazhohet në jetën akademike. Është punësuar për të ligjëruar lëndën “E drejta diplomatike dhe konsullore”.Njeriu që shkaktoi skandal diplomatik bëhet profesor i diplomacisë

Studentët e Juridikut në Universitetin e Gjilanit, të cilët dëshirojnë të mësojnë më shumë për diplomacinë, këtë dije mund ta marrin nga Urtak Hamiti, një ish-diplomat i ndëshkuar për shkaktim të skandalit diplomatik.

Urtak Hamiti, i cili shkaktoi skandal diplomatik në Kroaci, para katër vjetësh, është punësuar nga Universiteti i Gjilanit për të ligjëruar lëndën “E drejta diplomatike dhe konsullore”.

Përveç kësaj lënde, Hamiti, djali i Sabri Hamitit të LDK-së, do të ligjërojë edhe dy të tjera.

“Në thirrjen akademike Prof.Ass. është zgjedhur Dr. Urtak Hamiti për lëndët: Siguria kolektive dhe NATO, E drejta diplomatike dhe konsullore, Historia e institucioneve shtetërore dhe juridike”, thuhet në njoftimin e senatit të universitetit “Kadri Zeka”, të datës 24 nëntor të vitit 2016.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Gjilanit, Sadik Haxhiu,  ka pohuar për Insajderin se historia e para katër vjetëve që kishte ndodhur në Zagreb, nuk mund të jetë pëngesë për karrierën akademike të Urtak Hamitit.

“Sa i përket “shkeljeve të disiplinës duke mos raportuar rastin” të zotit Hamiti në kohën sa ka qenë diplomat në Kroaci, ato nuk mund të paraqesin asnjë pengesë për të marrë thirrjen e profesorit” ka thënë Hoxhaj për Insajderin.

Sipas Haxhiut, mos respektimi i rregullave të komunikacionit nuk mund të jetë pengesë për ngritjen akademike të askujt.

“Edhe unë vitin e kaluar jam dënuar dy herë për tejkalim të shpejtësisë ne komunikacion. Gjykata më ka shqiptuar dënimin, e kam paguar gjobën, por nuk më është kërkuar nga gjykata që të shqyrtohet statusi im si profesor në universitet”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka treguar se ish-diplomati Hamiti është zgjedhur në bazë të një konkursi publik për këto lëndë.

“Ne kemi pasur një konkurs publik për zgjedhjen e një profesori për lëndët e sipërpërmendura. Kërkesat e aplikuesve i ka shqyrtuar një komision profesional prej tre profesorëve. Pastaj vlerësimin e ka dhënë Komisioni i studimeve. Këto vlerësime janë publikuar në faqen zyrtare të Universitetit dhe në fund është votuar në senat”, ka treguar Haxhiu.

Statuti i Universitetit nuk parasheh ndalesa për të kaluarën e kandidatit që aplikon për profesor të rregullt apo të asociuar. Parasheh vetëm plotësimin e kritereve që ndërlidhën me shkollimin dhe angazhimin në punë shkencore.

Insajderi i ka dërguar pyetje edhe Urtak Hamitit, për të komentuar angazhimin e tij si profesor i diplomacisë, katër vjet pas shkaktimit të skandalit diplomatik në Kroaci. Ai ende nuk ka dhënë përgjigje.

Hamiti ishte suspenduar pas shkaktimit të skandalit diplomatik në Kroaci.Bazuar në vendimin për suspendimin e tij, Hamiti kishte bërë shkelje të disiplinës duke mos e raportuar rastin tek eprorët në MPJ.

Po ashtu, bazuar në këtë vendim, Hamiti kishte shkaktuar “zbehje të imazhit të përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Kosovës”, si dhe “dëmtim të pronës së qytetarëve kroatë, auto veturës”.

Enver Hoxhaj, që mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtme edhe më 2013, kishte marrë vendimin për suspendimin e tij. Vendimi e obligonte Hamitin që të kthehej në Kosovë dhe të punonte në një post më të ulët në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Po ashtu, vendimi i Hoxhajt i pamundësonte Urtak Hamitit që brenda dy vjetësh të angazhohej në poste diplomatike.

Para marrjes së këtij vendimi nga ministri i Punëve të Jashtme ishte ngritur komision disiplinor nga MPJ-ja për të shqyrtuar rastin e tij. Hamiti, para anëtarëve të këtij komisioni, kishte mohuar raportimet në media për rastin e tij, në Kroaci. I kishte cilësuar shpifje raportimet se ai ishte arrestuar, se kishte qenë i dehur dhe se ishte zvarritur nëpër rrugët e Zagrebit. Megjithatë, nuk e kishte fituar besimin e anëtarëve të komisionit disiplinor, të cilët kishin vendosur që Hamiti të suspendohej nga shërbimi diplomatik.

Hamiti, djali i nënkryetarit të LDK-së Sabri Hamitit ishte punësuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, në vitin 2010. Atë kohë, ministër i Punëve të Jashtme ishte Skënder Hyseni i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për një periudhë jo të shkurtër kohore,  Hamiti kishte kryer edhe detyrat e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, pas  largimit të ambasadorit Valdet Sadiku, i cili është emëruar shef i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

SHPËRNDAJE