Në afërsi të hyrjes së Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe tregut të gjelbër Bit Pazar do të ndërtohet Sheshi Pehlivan. Në atë lokacion është paraparë zëvendësimi i kalldrëmit me pllaka dhe mbjellja e drunjve si dhe vendosja e ulëseve.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se Sheshi Pehlivan do të shërbejë si pushimore për të gjithë qytetarët që do të frekuentojnë atë pjesë të Çairit.

“Po e vazhdojmë rregullimin, urbanizimin e kësaj pjese, të këtij sheshi të vogël, të kësaj pushimore që do të shërben për njerëzit që do të frekuentojnë Çarshinë dhe Bit Pazarin. Është investim afro 1,5 milion denarë, duhet të përfundojë brenda një muaji dhe mendoj se e urbanizon edhe këtë pjesë dhe neve na mbetet pastaj ta rregullojmë edhe rrugën 192 në bashkëpunim me shoqatën Prosperiteti dhe në të ardhmen e afërt të fillohet edhe ndërtimi i Bit Pazarit me pronarin privat apo ndërmarrjen ‘Skopski Pazar'”, tha Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit.

Projekti Sheshi Pehlivan do të kushtojë 1,5 milion denarë dhe do të përfundohet për një muaj.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti mohoi se promovimi i këtij sheshi është pjesë e fushatës parazgjedhore. Ai tha se komuna që ai udhëheq pas vënies në funksion të shtyllave hidraulike në gjitha hyrjet e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, vazhdon sistematikisht të realizojë revitalizimin e Çarshisë.

SHPËRNDAJE