Vendbanimet e Luginës së Preshevës deri në vitin 1912 ishin pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës (në periudhën 1978-1912 Presheva ishte kaza e Sanxhakut të Prishtinës). Megjithatë, edhe pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1912, ata në të gjitha rrafshet ishin dhe mbetën pjesë e një tërësie me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, duke i ndarë vetëm një vijë administrative-politike. Territoret shqiptare të tri komunave Medvegjë, Bujanoc, Preshevë bëjnë pjesë në tërësitë e mëdha etno-gjeografike ku përfshihen dhe rajonet e Gallapit dhe të Karadakut, e bashkë me to të tërë Kosovës të lidhur me Luginën e Kumanovës-Shkupit dhe zonën e Karadakut që sot ndodhen në Maqedoni. Midis dy luftërave botërore, bashkë me disa pjesë të Kosovës dhe gjithë Maqedoninë aktuale, Lugina e sotme e Preshëvës i takonte Banovinës së Vardarit. Ndërkaq, gjatë Luftës II Botërore Lugina ishte zonë okupuese bullgare dhe pas kapitulimit të Bullgarisë më 8 shtator 1944, shqiptarët jo vetëm të Luginës, por edhe të territoreve të tjera etnike përreth, e ruajtën kufirin në vijën hekurudhore të hapësirës së sotme të komunës së Bujanocit dhe Preshevës. Kufizohet në vijën hekurudhore Beograd-Shkup, por e kapërcen hekurudhën dhe përfshin edhe këto 12 vendbanime shqiptare: Samolica, Negoci, Bilaçi, Bukuroca, Bushtrani, Lerani, Zhunica, Gerajt, Strezoci, Çukarka, Golimidolli dhe Bugarina, me resurse relativisht të mira natyrore. Me Kushtetutën e Serbisë të 17 janarit 1947 dhe pastaj me ligjet e aktet e tjera juridike fshatrat e Karadakut – Stanec, Sefer, Caravajkë, Peçenë, Maxhere, Depcë dhe Ranatoc (sot në kuadër të komunës së Preshevës), që atëherë ishin në kuadër të rrethit të Gjilanit, kaluan në Serbi. Edhe fshatrat Konçul dhe Dobrosin (sot brenda komunës së Bujanocit) në vitet 1946-1948 ishin me Ranillug të Kosovës, sikundër që edhe fshatrat Zarbincë dhe Pribovc (sot në kuadër të komunës së Bujanocit) në vitet 1947-1949 ishin pjesë e Kosovës.

Lugina e Preshevës si tërësi shtrihet në një territor prej afro 1.250 km², në të cilin jeton një popullatë shqiptare rezidenciale prej rreth 100.000 banorëve, që aktualisht përbëjnë rreth 80% të popullsisë së përgjithshme rezidenciale të rajonit. Nga 136 vendbanime, sa ka ky territor, popullata shqiptare shtrihet në 64 sish të tipit rural dhe në tri qendra të karakterit urban (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si seli komunale). Shqiptarët me shumicë absolute jetojnë në 41 vendbanime. Përveç selive komunale, edhe disa vendbanime rurale janë të përziera në pikëpamje etnike, ku dominojnë shqiptarët.

SHPËRNDAJE