Luginë e Preshevës, 7 prill –

Një grup nxënësish e profesorësh nga Shqipëria vizituan Luginën e Preshevës, me ftesën e shkollës së mesme “Sezai Surroi” të Bujanocit dhe mbështetjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.

Grupi i nxënësve dhe i profesorëve nga Shqipëria të shkollave të mesme të Tepelenës, Përmetit dhe Gjirokastrës, të kryesuar nga Arben Rexhaj, këshilltar i bashkisë së Gjirokastrës, për tre ditë qëndruan në Luginën e Preshevës, në Bujanoc e Preshevë, ku u mirëpritën nga familjet shqiptare të këtij rajoni.

 

Delegacioni i nxënësve dhe i profesorëve nga Shqipëria, gjatë vizitës që bënë në Luginën e Preshevës, së pari vizituan shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, ku panë nga afër se si zhvillohet procesi mësimor në këtë shkollë.

Siç theksoi drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Zejni Fejzullahu për “Presheva jonë”, një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen mes shkollave të mesme të Shqipërisë dhe atyre të Luginës së Preshevës.
Edhe profesor Arben Rexhaj, duke mos hezituar të shpreh entuziazmin e mikpritjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, theksoi se “jam shumë i lumtur që vërtet arrita të bëjë realitet objektivin tim për të mbështetur sadopak arsimin shqip në Luginën e Preshevës”.

Nxënësit dhe profesorët e shkollave të mesme nga Shqipëria vizituan edhe shkollën e mesme “Skënderbeu” në Preshevë, shkollën fillore “Ibrahim Kelmendi”, po ashtu në Preshevë dhe shtëpinë e kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë, ndërkohë që janë takuar edhe me prefekten e komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Delegacioni nga Shqipëria po ashtu takoi edhe prefektin e Bujanocit Shaip Kamberin, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliun, ndërsa më pas vizituan edhe shkollën fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërnoc, muzeun e komandant Lleshit, po ashtu në Tërnoc./Metali Krasniqi

 

 

SHPËRNDAJE