Nga Ylli PATA

  Hapet “lufta e ftohtë” për treg në rajon. Bullgarët kërkojnë tenderin e interkonjeksionit

 


Ngecja në vend e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës ka zgjuar interesat e operatorëve rajonalë të energjisë për të përfituar nga tregu i rajonit, përkatësisht Kosovës dhe Maqedonisë. Ditët e fundit ka mjaft lëvizje që synojnë përshpejtimin e projektit të interkonjeksionit ndërmjet Tiranës dhe Shkupit, linjë e cila do të ndikonte në tregun rajonal, jo vetëm për furnizimin e vendit fqinj dhe Shqipërisë me energji, por dhe transportimin në Kosovë, Bullgari, Serbi, edhe gjetkë. Burime të “Shqip” bëjnë të ditur se bullgarët po nxisin përshpejtimin e projektit të Shkupit, i cili me vonesën e linjës me Kosovën do të ndikonte në furnizimin e tregut kosovar, por edhe anasjelltas. Para disa ditësh, në Tiranë janë zhvilluar takime të rëndësishme mes ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, dhe përfaqësuesit e kompanisë bullgare EMU a.d Targovishte. Kompania bullgare tregoi interesin kryesor të saj për fushën e privatizimit të HEC-eve, si dhe marrjen me koncesion të linjës së interkonjeksionit Tiranë–Shkup. Ministri Naço shprehu mbështetjen e tij maksimale për ndërtimin sa më shpejt të linjës së interkonjeksionit mes Tiranës dhe Shkupit, e cila do të kompletojë edhe rrjetin e transmetimit të energjisë së Shqipërisë me rajonin. Naço siguroi edhe njëherë kompanitë e huaja, të cilat kanë interesa investimi në Shqipëri në fushën e energjisë, se qeveria shqiptare do të jetë një partnere serioze. Ai e ftoi kompaninë EMU që të konkurronte për koncesionin e linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup, duke i siguruar ata se gara do të jetë e hapur dhe transparente. Linja e interkonjeksionit me Maqedoninë konsiderohet si një ndër linjat më të rëndësishme energjetike për vendin tonë, pasi plotëson rrjetin e transmetimit të energjisë me rajonin dhe nga ana e qeverisë shqiptare është dhënë garancia që kjo linjë të ndërtohet shpejt. Në fund kjo linjë do t’u jepet me koncesion kompanive të interesuara, të cilat kanë filluar të aktivizohen në takime. Bullgarët kanë treguar interes tërësor për të gjithë sektorin energjetik, përfshi këtu edhe privatizimin e hidrocentraleve që aq shumë janë lakuar nga qeveria për shitjen e tyre.

Kosova

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës është përfshirë në një skandal të madh, që ka sjellë një furtunë në marrëdhëniet mes financuesit të këtij projekti, bankës gjermane KfW dhe qeverisë shqiptare. Arsyeja: është ndërruar rrugës kompania që do të ndërtojë linjën, ndërkohë kur sipas rregullave të përcaktuara u shpall fituese një kompani kroate. Pasoja: linja po shtyhet në kalendar dhe ka shumë gjasa që të vonohet mjaft, pasi duhet të ritenderohet. E përditshmja e Prishtinës “Zëri” fliste dy ditë më parë për gjasat e mundshme të dështimit të projektit dhe tërheqjen e gjermanëve nga financimi i linjës së interkonjeksionit. Nëse ndodh kjo, atëherë do të kemi një garë për të gjetur një financues të ri, gjë që në kushte krize është shumë e vështirë. Shkaku: po e përditshmja “Zëri” akuzoi qeverinë shqiptare se po favorizon biznesmenët serbë Vuk Hamoviç dhe Damir Fazliç, të cilët janë edhe sot furnizuesit më të mëdhenj me energji të Kosovës dhe Shqipërisë.

SHPËRNDAJE