Ekipi i njohur holandez, Feyenoord e ka arritur finalen e madhe të garës më të re të UEFA-s, Conference League. Në finalen që luhet më 25 maj në Tiranë, Feyenoord do të përballet me Romën e Mourinhos.

Por, rrugëtimi i tyre deri këtu ishte i jashtëzakonshëm. Madje, ata ishin shumë afër të eliminoheshin nga ekipi kosovar, Drita, në rrethin e dytë kualifikues, shkruan Gazeta Express.

Ndeshja e parë mes Dritës dhe Feyenoordit u zhvillua në Prishtinë më 22 korrik të vitit të kaluar, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ai takim u mbyll pa fitues, çka ishte rezultat pozitiv për gjilanasit.

Një javë më vonë në Holandë, megjithë paraqitjen fantastike, Feyenoord fitoi 2:3 dhe u kualifikua tutje, duke eliminuar më pas Luzernin dhe Elfsborgun, për ta arritur fazën e grupeve.

Në grupe, Feyenoord zuri vendin e parë me katër fitore dhe dy barazime, duke u kualifikuar në 1/8 e finales. Aty, ata mposhtën Partizanin me rezultat të përgjithshëm 5:3.

Në çerekfinale eliminuan Slavia Prague me rezultat 6:4 nga dy ndeshjet, ndërkohë në gjysmëfinale eliminuan ekipin e madh francez, Marseille, falë fitores 3:2 në ndeshjen e parë.

Në finalen e Tiranës, Feyenoord do të ketë punë mjaft të vështirë, pasi që do të përballet me ekipin e madh italian, Roma, të cilët janë të etur për një trofe madhor pas shumë vitesh pritje.

SHPËRNDAJE