Ibrahim L. 25 vjeçar është personi që humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë mbrëmë në Tetovë, gjatë tentativës së arratisjes. 25 vjeçari ishte pjesë e grupit prej 8 grabitësish të cilët rreth orës 18 të të shtunës vodhën argjendarinë ‘Isak 1.’. Për t’i shpëtuar policisë, grupi i grabitësve hapi zjarr ndaj forcave blu, ndërkohë që në shkëmbimin e zjarrit 25 vjeçari Ibrahim L. u plagos dhe vdiq nga plagët e marra. Pranë tij u gjet arma dhe një pjesë e sendeve të vjedhura të arit, ndërkohë që pjesa tjetër e grupit u largua duke lënë makinat e tyre Opel Astra dhe Opel Omega në hyrje të fshatit Jegunoc, në brendësi të të cilave u gjetën gjithashtu stoli të vjedhura si dhe armë. Në përleshjen me armë pranë argjendarisë ‘Isak 1’ me disa plumba në këmbë mbeti i plagosur edhe pronari i saj Isak Ferati, i cili pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Klinik të Tetovës është dërguar në Klinikën e Shkupit, jashtë rrezikut për jetën. I plagosur mbeti gjithashtu edhe një pjesëtar i Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës, edhe ai jashtë rrezikut për jetën. Hetimet e policisë kanë vazhduar edhe gjatë natës në vendin e plaçkitjes, atë të shkëmbimit të zjarrit si dhe dy makinat që grupi i grabitësve braktisi në hyrje të fshatit Jegunoc me dyer të hapura.