Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës, 21 Qershorit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ndau sot Çmimet Vjetore për Muzikë për vitin 2010. Në bazë të vlerësimit të jurisë, Çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Niketë Dardani”, e ka fituar kompozitori Esat Rizvanolli (post mortem). Në kategorinë e veprave simfonike-koncertale, çmimi iu nda Mendi Mengjiqit për “Koncertin për obo dhe orkestër”. Në kategorinë e veprave kamertale juria vendosi për veprën (Im) (Ex) Pression të Drinor Zymberit. Ndërkaq në kategorinë e veprave të muzikës korale (edhe me shoqërim instrumental) çmimi iu nda kompozitorit Rafet Rudi, për veprën “Laudate Dominum”.

Ndarja e çmimeve, që ndodh për herë të parë, u bë në një ceremoni solemne në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku morën pjesë akademikë, kompozitorë dhe njerëz të institucioneve të kulturës, politikës etj.

Ministri Krasniqi vlerësoi lart kontributin që kanë dhënë dhe po japin këta artistë, duke ofruar kështu mbështetjen e plotë të Ministrisë. “Përmbyllja me sukses e konkursit të muzikës artistike bashkëkohore shqiptare në Kosovë, “Niketë Dardani”, aktivitet ky i ideuar vite më parë, por i cili sivjet u shndërrua në medium të vërtetë, real dhe funksional, është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i angazhimit tonë të stimulimit dhe cytjes së krijuesve të muzikës artistike te ne, por edhe shprehje e qartë e marrëdhënies së natyrshme të muzikës me artet tjera”, tha ministri. Ai tutje, ndër të tjera, tha se konfigurimi i këtillë i këtij konkursi, të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës do ta mbështes në mënyrë kreative edhe në vitet që do të pasojnë, është konceptuar si një mundësi e mirë për krijuesit tanë të muzikës, por edhe për publikun e gjerë, që përmes përvojës kreative të kompozitorëve tanë të talentuar ta përjetojmë thellë dhe fuqishëm aktin krijues.

“Mbështetja për organizimin e këtij konkursi është pjesë e politikave kulturore dhe angazhimit të vazhdueshëm e serioz të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në funksion të stimulimit të pareshtur të krijuesve të muzikës bashkëkohore, që kjo krijimtari, në një të ardhme sa më të afërt, të shndërrohet në një medium artistik të vlerave dhe të standardeve profesionale ndërkombëtare – si synim yni i përbashkët”, potencoi me tutje ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi. Duke folur për çmimin për vepër jetësore, që i është ndarë post mortem kompozitorit Esat Rizvanolli, ministri tha se kjo dëshmon se muzika jonë artistike tashmë e ka krijuar traditën e vetë dhe se krijuesit e vlershëm dhe veprat e tyre i përkasin përjetësisë së një vendi dhe të një kombi.

Në emër të fituesve ka folur kompozitori Rafet Rudi, i cili falënderoi MKRS-në për kujdesin që ka treguar në vlerësim të vlerave muzikore dhe përkrahjen e artistëve në përgjithësi.

Në konkursin publik kanë konkurruar 12 artistë, ndërkaq për vepër jetësore Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Fakulteti i Arteve kanë dërguar nga një emër.

Juria ka qenë e përbërë nga Zeqirja Ballata, kompozitor dhe kryetar i jurisë, Ermir Dizdari, dirigjent (Tiranë) dhe Baki Jashari, kompozitor.

SHPËRNDAJE