Pas gati tetë vitesh nga vënia e gurthemelit të Xhamisë Qendrore, Bashkësia Islame i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë për leje ndërtimore. Nëse jepet leja e ndërtimit dhe punimet shkojnë sipas planit, kjo xhami do të jetë e gatshme për besimtarët në vitin 2023. Për fillimin e punimeve, afatin e zgjatjes së punimeve dhe koston e këtij projekti kanë dhënë detaje në BIK.

Sa herë që afrohet Muaji i Ramazanit, në vend aktualizohet tema rreth ndërtimit të Xhamisë Qendrore në kryeqytet.

Në këtë kohë, të gjithë i kthejnë sytë kah Bashkësia Islame dhe Komuna e Prishtinës për të marrë vesh se kur do të fillojnë punimet për këtë projekt milionësh, themelet e së cilës ishin vënë më 8 tetor të vitit 2012.

Por, fillimi i ndërtimi të kësaj xhamie asnjëherë nuk ka qenë më afër se sivjet.

Para rreth një muaji, Bashkësia Islame ka dërguar kërkesë për leje ndërtimore në Komunën e Prishtinës.

Në këtë institucion fetar thonë se janë në pritje të lejes nga komuna për të filluar me punimet.

Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Ahmet Sadriu i ka thënë Gazetës Express se me 15 prill e kanë dorëzuar komplet projektin së bashku me kërkesën për leje ndërtimore.

Ai shpreson që do ta marrin lejen deri në fund të muajit, për të filluar menjëherë me punimet.

“Ne e kemi dorzuar komplet projektin së bashku me kërkesen për leje ndërtimore me daten 15.04.2020. Ne shpresojmë që deri kah fundi i këtij muaji ta marrim lejen nga Komuna dhe të fillojmë menjëherë me punët”, ka thënë Sadriu.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Xhamia Qendrore do të jetë e gatshme për besimtarët në vitin 2023.

Kostoja e këtij projekti sillet rreth 30 milionë euro dhe do të ndërtohet nga Dijaneti i Turqisë.

“Kjo do të mvaret nga dinamika e punimeve por afati optimal është tri vite. Kostoja e projektit parashifet 25 deri 30 milion euro. Ndertimin e xhamisë do ta bënë donatori- Dijaneti i Turqisë”, thuhet në përgjigjet e Sadriut për Express.

Diyanet” thotë se xhamia do të bazohet në xhaminë e shekullit të 16-të Selimiye në Edirne, në pjesën veriperëndimore të Turqisë. Me pak fjalë, xhamia e re e Prishtinës do t’i ngjajë shumë qindra xhamive të ndërtuara në Ballkan gjatë sundimit turk – vetëm se do të jetë shumë më e madhe.

Për kërkesën e BIK’ut për leje ndërtimore është deklaruar edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në një intervistë të dhënë para një jave, Ahmeti ka thënë se arsyeja se pse ata nuk e kanë marrë ende këtë leje është sepse nuk kanë aplikuar.

Ai bëri të ditur se një kërkesë të tillë e kanë pranuar tek muajin e kaluar, derisa shtoi se kërkesa e BIK’ut do të shqyrtohet shumë shpejt.

“Arsyeja pse s’kanë marrë leje qe tetë vjet është se për me marrë leje duhet me apliku. S’kanë apliku për leje. Aplikimin e parë që e kemi pas për leje ka qenë vitin e kalum për kushte dhe tash kanë apliku përfundimisht para një dy jave për leje. Besoj që do ta shqyrtojmë shpejt dhe do të japim përgjigje për këtë projekt”, deklaroi Ahmeti.

I pari i Prishtinës foli edhe lidhur me projektin për këtë xhami. Ai tha se do të donte që projekti fitues të ishte i arkitektes Zaha Hadid, meqenëse do të ndikonte edhe në turizëm, por se Bashkësia Islame ka zgjedhur projektin tjetër.

“Kanë thënë që po e dojnë një xhami më klasike, meqensë po e bëjnë për besimtarë dhe jo për turizëm. Si Kryetar komune kisha pas qef që Zaha Hadidi, që ajo të jetë projekti fitues sepse mendoj që na kish sjellë shumë më shumë edhe turizëm edhe atraksion, por në anën tjetër edhe Bashkësia Islame e ka mirë, sepse në fund ata po e bëjnë për besimtarët”, tha Ahmeti.

Ndërkohë, para tri vitesh një kërkesë për ndalimin e procesit të dhënies së lejes për objektin fetar në lagjen Dardania, u ishte drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Këshilltarëve të Kuvendit Komunal në Prishtinë.

Ky peticion fillimisht ishte nënshkruar nga 30 persona, pasi sipas tyre, xhamia e cila pritet të ndërtohet nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.

Këtë peticion, Bashkësia Islame e kishte quajtur të kotë dhe kishte thënë se projekti për ndërtimin e xhamisë është votuar nga vetë qytetarët.

“Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qendrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit.

Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë”, thuhej ndër të tjera në peticion.

SHPËRNDAJE