Diplomati, Erhard Busek ka deklaruar se Serbia dhe Kosova duhet të mendojnë për shkëmbim të territoreve – kjo ide është e rrezikshme dhe do të dështojë, konsiderojnë përfaqësues të serbëve dhe shqiptarëve.

Ish koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek ka deklaruar së fundi se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë bisedimet për ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve duke “lidhur Luginën e Preshevës me Kosovën ndërsa veriun e Kosovës me Serbinë”. Sipas Busek kjo do të siguronte një zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan.
Rangjel Nojkiq, kryetar i Komitetit kosovar të Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO) thotë se kur është fjala për ndarjen eventuale të Kosovës duhet të dëgjohet zëri i serbëve nga të dyja anët e lumit Ibër. Deklarata e Erhard Busek-ut vlerëson Nojkiq, është rezultat i dëgjimit të zërit vetëm të serbëve nga veriu i Kosovës. Askush nuk i ka pyetur serbët në jug të Ibrit, se çfarë do të thotë kjo për ata.
“Unë mendoj se është ide e çmendur që do të krijonte probleme shtesë që ndoshta mund të shkaktojnë edhe gjakderdhje. Unë mendoj se askush, madje as bashkësia ndërkombëtare, nuk kanë të drejtë për një aventurë të tillë dhe të shtyjnë njerëzit në diçka që do të shkaktonte probleme të reja jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan. Unë mendoj se kjo është absolutisht e papranueshme për serbët në këtë anë të Ibrit “, thotë Nojkiq.

Kutia e Pandorës dhe kushtet për efektin domino

Duke kujtuar se ndarja e Kosovës është e rrezikshme, sepse ajo hap kutinë e Pandorës dhe mund të shkaktojë një efekt domino, Azem Vllasi, një ish zyrtar i lartë i RSFJ-së, thotë se dalja nga kjo situatë ndodhet në planin e Marti Ahtisaarit . Problemi është se Serbia nuk e ka pranuar zyrtarisht planin e diplomatit finlandez.

“Tani siç thuhet po sillen rreth këtij plani si macja rreth qullit. Ajo do ta pranojë planin, por duan që ai të quhet “katër pikat e Boris Tadiqit”… I vetmi plan i mundshëm është plani i Ahtisarit dhe ajo çfarë ka përcaktuar dhe paraparë Kushtetuta e Kosovës në përputhje me këtë plan”, tha Vllasi.
Zhivojin Rakoçeviq, njohës i rrethanave politike në Kosovë, ndarjen eventuale të Kosovës në këtë kohë por edhe në të gjitha kohërat e mëparshme e konsideron si hyrje në “kaos, çmenduri dhe vetëvrasje”. “Unë nuk shoh pra asnjë arsye normale të vetme, sepse në fund të fundit shpërbërja dhe luftërat krijojnë mikro-kufij të rinj që do të ishin fabrika të urrejtjes. Ne kemi mjaft kufij në Ballkan të cilët gjenerojnë urrejtje dhe tani një lloj kufiri i ri do të përbënte kulmin e urrejtjes dhe të kësaj çmendurie. Unë besoj se nuk ka asnjë ide më të keqe se ideja e ndarjes së Kosovës…” tha Rakoçeviq për DW.

SHPËRNDAJE