Lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, ka deklaruar të enjten, se e konsideron të domosdoshme, madje të pashmangshme pjesëmarrjen e përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në bisedimet e reja politike shqiptaro-serbe, midis Prishtinës dhe Beogradit, njofron agjencia informative “Presheva Jonë”

Bujanoc, 6 shtator

 

“Çdo përpjekje për t’i anashkaluar kërkesat e shqiptarëve të këtij rajoni, për të qenë pjesë e këtyre proceseve dialoguese për çështje politike, midis dy qendrave të vendosjes, do të krijonte një gafë të madhe e të paparashikueshëm për gjendjen politike dhe të sigurisë në këtë rajon, deri dje i përshirë në flakët e luftës”, vlerëson Musliu, duke shtuar se “ LPD-ja konsideron se është e paimagjinueshme të pranohet nga Prishtina me insistimin e Beogradit, që veriu i Kosovës të jetë pjesë e dialogut, a në anën tjetër për motive politike të lihet anash çështja e Luginës së Preshevës. Ne nuk mund të presim që Beogradi të na ftoj në këto bisedime, kur, ai, çdo ditë na diskriminon sistematikisht”.

 

Musliu kërkon realizimin e Referendumit t e 1 dhe 2 marsit 1992, për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës

 

Duke i pasur parasysh të gjitha këto, vlerëson, Musliu, gjendja e tanishme e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, paraqitet tepër shqetësuese, sidomos pas deklaratave të ndara të disa zyrtarëve të Kosovës dhe rajonit, për kinse përfshirjen, ose mos përfshirjen e këtij rajoni në bisedimet e reja Prishtinë-Beograd.
Lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, kërkon nga faktorët relevantë ndërkombëtarë shqiptarë e ndërkombëtarë, që të jenë më të kujdesshëm rreth opsioneve për zgjidhjen e çështjes shqiptare të Luginës së Preshevës.
Në këtë drejtim, sipas Musliut, LPD, kërkon nga Tirana e Prishtina zyrtare, të mbajnë një qëndrim të prerë ndaj përfshirjes së Luginës së Preshevës, në këto bisedime, si dhe të ushtrojnë presion tek: NATO, OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës, të cilët kanë qenë garantues të Marrëveshjes Paqësore të Konçulit në vitin 2001.
Sipas Musliut, partia e tij, Lëvizja e Progresit Demokratik, ka kërkuar vazhdimisht, nga qarqet relevante, që të nxisin dhe të ndërmjetësojnë mes Prishtinës dhe Beogradit, për pjesëmarrje në bisedime, të përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ta shqyrtuar ecurinë e procesit të deritanishëm, për ta parandaluar përkeqësimin e situatës aktuale politike dhe të sigurisë në Luginën e Preshevës, si dhe për ta rikonfiguruar një Marrëveshje politiko-juridike konform qëndrimeve të paraqitura në Marrëveshjen e Konçulit dhe kërkesave të paraqitura në Platformën politike të Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të 14 janar të vitit 2006, e cila do të rezultonte me një stabilitet afatgjatë politik dhe ekonomik në rajon.
Ndaj sipas Musliut, Lëvizja e Progresit Demokratik, përkrah proceset biseduese në të cilat domosdoshmërish do të shtrohen problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e këtij rajoni, duke përfshirë: Statusin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës; implementimin e Marrëveshjes së Konçulit; integrimin e plotë i ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, në jetën politike dhe ekonomike të vendit; çmilitarizimin e rajonit; kthimin e qëndrueshëm  të zhvendosurve; kompensimin e dëmeve të luftës; integrimin proporcional të shqiptarëve në strukturat politike, ekonomike dhe civile të vendit; arsimi dhe edukimi sipas standardeve ndërkombëtare; decentralizimi e mbi të gjitha realizimin e Referendumit t e 1 dhe 2 marsit 1992 për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës.
Metali Krasniqi
SHPËRNDAJE