“Do të fillojmë të bëjmë lëshime në qytetet dhe zonat e banuara nga shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe premtoi se nuk do të ketë më arrestime dhe presione terrori ndaj tyre…” ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkiç 

 

Plarent Shehu

 

Serbia i kërkon qeverisë dhe Ministrit të jashtëm Panariti të rinumërojë dhe japë numrin e saktë të minoritetit serb në Shqipëri. Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme të Ministrisë së Jashtme, kërkesa e Serbisë është bërë gjatë takimit me dyer të mbyllura që kanë zhvilluar dy ministrat e jashtëm, Panariti dhe Mrkiç. Gjatë bisedës së dy kryediplomatëve, Ivan Mrkiç i ka shprehur Panaritit pakënaqësinë e qeverisë serbe sa i përket censusit të fundit të zhvilluar në Shqipëri që nxjerr minoritetin serb në vendin tonë me 0.002 % ose 258 banorë.

 

Mrkiç e ka pasë programuar vizitën që në fillim të mbërritjes së tij në Tiranë, bëjnë të ditur burime pranë ministrisë së Jashtme. Takimi në Libofshë të Fierit është mbajtur në fshehtësi për shkak të ndonjë incidenti me protestuesit, duke përhapur lajme të rreme se “mund të kishte shkuar në Shkodër apo është në godinën e Ambasadës së Serbisë në Tiranë, ka thirrur atje përfaqësuesit e minoritetit serb apo biznesmenë të ndryshëm”, shkruan Shekulli Gjatë takimit në Libofshë, Mrkiç i ka kërkuar rreth 15 vetave, të cilët kishin shkuar ta takonin dhe t’i komunikonin se cilat ishin hallet dhe pretendimet e tyre dhe çfarë kishin nevojë, me qëllim që ditën e nesërme, të ngrihej si problem gjatë takimit me homologun Panariti. Pjesëtarë të këtij komuniteti në Libofshë i kanë kërkuar që t’i kërkonte llogari Qeverisë shqiptare për numrin e minoritetit serb në Shqipëri, i cili, sipas tyre nuk ishte real. Ministri serb ka biseduar me ta dhe për çështje të shkollimit dhe trajtimit pensional. Në mbrëmje Mrkiç ka zhvilluar një takimme disa biznesmenë shqiptaro-serbë.

Presheva

Pas kërkesës së bërë nga ana e Ministrit Mrkiç për numrin e minoriteteve, ministri shqiptar Panariti i ka kërkuar homologut të vet shpjegime për arrestimet në Preshevë dhe trajtimin, shkollimin dhe liritë e të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Mrkiç i është përgjigjur se do të fillojmë të bëjmë lëshime në qytetet dhe zonat e banuara nga shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe premtoi se nuk do të ketë më arrestime dhe presione terrori ndaj tyre. Sa i përket anës zyrtare të takimit gjatë Konferencës së përbashkët për shtyp ministri Panariti deklaroi se i kërkoi homologut të tij që Serbia të njohë Kosovën, të ndërpresë dhunën në Preshevë. Ndërsa kryediplomati serb është shprehur se, qeveria e re e Serbisë është e vendosur për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë. Sipas ministrit Mrkiç, vendet tona duhet të kapërcejnë problemet e së kaluarës dhe të gjejnë pikat që i bashkojnë. Gjithashtu dhe kryeministri Berisha u takua me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mrkiç.

SHPËRNDAJE