Mitrovicë: Nxënëset me shamia kthehen në shkollë

Është zgjidhur problemi i dy nxënësve të mbuluara të cilave iu ishte ndaluar vijimi i mësimit në gjimnazin “Frang Bardhi” të Mitrovicës. Kjo është bërë pasi ato kanë bërë një ankesë në Ministrinë e Arsimit në Prishtinë.

Sot pas një ore protestë në oborrin e shkollës, nxënësit e kësaj shkolle iu janë kthyer mësimit.

Pas kësaj proteste është mbajtur një mbledhje urgjente në komunën e Mitrovicë ku ishin thirrur edhe juristët për të komentuar ligjin dhe udhëzimin administrative për kodin e sjelljes së nxënësve nëpër shkolla publike.

“Ne duhet të respektojmë në përpikëri ligjin dhe udhëzimin administrative për shkollat publike”, ka thënë pas takimit, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati. Sipas tij ligji mbi për arsimin nuk e precizon qartë mënyrën e veshjes së nxënësve nëpër shkolla, ndërsa që udhëzimi administrative që është lëshuar nuk është shumë i qartë dhe lejon mundësi që me një ankesë nxënësit e larguar nga procesi mësimorë të kthehen në shkollë.

Mitrovica ndalon shaminë, reagojnë Imamët

Kanë reaguar sot Imamët e KBI në Mitrovicë në një takim të jashtëzakonshëm, siç thuhet, ndaj situatës së krijuar pas vendimit të DKA në Mitrovicë për ndalimin e vajzave me veshje fetare (shamia) të vijimit të procesit mësimor, si dhe për shkak të aplikimit të këtij vendimi nga ana e disa drejtorëve të shkollave të mesme në Mitrovicë.

Në një deklaratë të lëshuar nga ky takim, Imamët vlerësojnë se një vendim i tillë “ka shkaktuar një indinjatë të thellë tek imamët dhe te komuniteti i gjerë fetar në Mitrovicë”.

Më tej ata këtë veprim e konsiderojnë “shkelje e rëndë në dy të drejta fundamentale të njeriut – të drejtën për shkollim dhe të drejtën e shprehjes së lirë të orientimit fetar”.

Imamët presin nga “organet kompetente që të marrin masat e duhura për të parandaluar destabilizimin e mëtutjeshëm dhe shqetësimin e qytetarëve dhe të lejojnë vajzat në fjalë që të vijojnë procesin arsimor”.

Gjithashtu ata kërkojnë “nga të gjithë faktorët relevantë që të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate dhe të kontribuojmë të gjithë së bashku në përmirësimin e gjendjes në shoqërinë tonë”, thuhet në fund të deklaratës së Imamëve të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, të nënshkruar nga Rexhep Lushta, Kryeimam i KBI-së.

SHPËRNDAJE