(I plotësuar) – Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, me të cilën zotohet se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, në mënyrë që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë të përfundojë në fund të këtij viti.

Rezoluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur nga të gjitha subjektet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Për miratimin e rezolutës kanë votuar 83 deputetë, 13 ishin kundër, kurse 1 abstenoi.

Teksti i harmonizuar i rezolutës është lexuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Rezoluta e lexuar nga deputeti Grabovci fton edhe Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë për të kompletuar zbatimin e Planit të Ahtisarit dhe fillimin e ndryshimeve kushtetuese për bartjen e përgjegjësive nga Zyra Civile Ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës.

Rezoluta është mbështetur nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se me këtë vendim, Kuvendi po miraton përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe fillimin e pavarësisë së plotë të Kosovës.

Projektrezoluta përmban këto pika:

1. Duke njohur përparimin që ka bërë Kosova në vitet që nga shpallja e pavarësisë dhe përparimin që do të vazhdojë të bëjë;

2. Duke mirëpritur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për të synuar përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur gjatë vitit 2012;

3. Duke besuar se Kosova është e gatshme të pranojë vendin e vet meritor, në mesin e vendeve të pavarura të botës;

4. Të përkushtuar ndaj përmbushjes së gjitha obligimeve që kontribuojnë në fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, duke pasur parasysh parimet kyçe të propozimit gjithpërfshirës me Kushtetutën dhe legjilacionin e Republikës së Kosovës;

5. Të vetëdijshëm që Kosova gjithmonë ka arritur përparim me të madh drejt synimeve tona kombëtare, ku forcat politike dhe udhëheqësit janë bashkuar;

6. Zotohet se solemnisht pa përkrahjen dhe përkushtimin e vet të plotë, për arritjen e shpejt të tërësishme dhe të suksesshme të këtiëj synimi kombëtar. Posaçërisht kalimit të gjitha amandamenteve kushtetuese dhe legjislacionit tjetër të nevojshëm për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur;

7. Fton Qeverinë e Republikës së Kosovës në konsultim të ngushtë me udhëheqëesit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe përfaqësuesin ndërkombëtar civil, me prioritet të përgatis dhe miratoi legjislacionin, i cili është i nevojshëm për të kompletuar zbatimin e propozimit gjithpërfshirës si dhe të hartojë të gjitha amandamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë për t’ia paraqitur këto Kuvendit, jo më vonë se katër javë nga nxjerrja e kësaj rezlute;

8. Në mbështetje të nenit 71 të Rregullores së Kuvendit, autorizojmë komisionin e tashëm “ad-hoc” për reformën kushtetuese ligjore, që të përgatis amandamentet kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, si dhe të përgatis amandamentet kushtetuese legjislative të hartuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për miratimin përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës.

Pas leximit të Projektrezolutës, ka marr fjalën kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se miratimi i kësaj rezolute edhe njëherë po reflekton unitetin e spektrit politik.

“Sot të jemi bashkuar siç kemi qenë gjithmonë në momentet më të rëndësishme të historisë sonë. Ne po miratojmë rezolutën që hap derë dhe i jep fuqi përmbylljes së mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës. Kjo rezolutë, përmbajtja e saj, dhe për më tepër shpresoj se akti i miratimit që reflekton një konsesus të përgjithshëm politik dhe etnik, flet më së miri se çka do tjetër për pjekuri të politikës dhe shoqërisë sonë”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër ai ka shtuar se kjo nuk është meritë e vetëm e një qeverie, e një partie, apo një mandati, por është merita e shtetit tonë, e demokracisë sonë, e reformave demokratike dhe merita e gjithë qytetarëve tanë.

Ai ka siguruar se Qeveria e Kosovës do të përmbush të gjitha obligimet dhe detyrimet që dalin karshi rezolutës, në mënyrë që ky process të përmbyllet suksesshëm. Gjithashtu ka falënderuar Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe Peter Faith-in për kontributin e dhënë.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka mbështetur këtë projektrezolutë, duke kërkuar nga ekzekutivi i vendit të kryejë obligimet që i dalin përpara.

“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mbështet draftrezolutën e propozuar dhe sigurisht e vlerëson si një moment të rëndësishëm fillimin e këtij procesi, i cili sigurisht do të merrë kohë, nuk do të jetë i lehtë. Por është diçka që ky shtet, qytetarët tanë e kanë pritur që finalisht të jemi shtet, që nuk do thotë që jemi nën vëzhgim, por shtet që do të qeveriset nga institucionet tona të pavarura dhe dëshirojomë të besojmë që të gjitha ato që dalin si obligime nga kjo draftrezolutë, që më vonë besojmë se do të bëhet rezolutë, do të kryhen nga ata që janë përgjegjës për këtë, në radhë të parë Qeveria”, ka theksuar Beqiri.

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se

Lëvizja Vetëvendosje është për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, sikur që ka qenë kundër çfarëdo kufizimi ndaj pavarësisë sonë në vitin 2008. Ymeri ka thënë se këtë rezolutë e kundërshtojnë edhe si metodë edhe si përmbajtje.

“Pika më problematike e tekstit të propozuar përmes kësaj rezolute, megjithatë, është ajo që kërkon nga Kuvendi të zotohet se do t’i përmbush të gjitha obligimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Rezoluta nuk saktëson se cilat do të jenë obligimet. Në këtë mënyrë kërkohet nga Kuvendi që të zotohet blanko për një proces me shumë të panjohura dhe shumë rreziqe. Kjo madje, është dhe formë jo demokratike e të votuarit, sepse kërkohet nga deputetët të zotohen se do të votojnë në favor të ligjeve, për të cilat nuk e dinë se çka përmbajnë. Kuvendi duhet ta trajtojë secilin ligj me procedurën e vet normale, të votimit në Kuvend dhe komisionet përkatëse”, ka thënë Ymeri.

Për më tepër ai ka shtuar se parlamentarizmi dhe demokracia përfaqësuese nuk mund të tkurret në tre a po katër burra që shtrëngojnë duart.

Sipas tij kjo rezolutë është një tentim i hapur i Qeverisë së Thaçit, siç tha ai, t’i mbulojë koncesionet që ai është gati t’i bëjë në negociatat me Serbinë, që kështu të kontrabandohet statusi i veçantë për veriun e vendit, si çmim për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Ai më pas ka prezantuar projektrezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje, që përmbante tetë pika, por që nuk ka marr mbështetjen e grupeve të tjera parlamentare për të dal në votim.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se AAK-ja përkrah Projektrezolutën për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. “Kjo që po ndodh sot nuk është punë e një qeverie, nuk është punë e një legjislature, kjo është punë shumë më e gjatë dhe shpresoj që kjo gjeneratë të përmbyll një proces, i cili definitivisht përfundim e ka mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gjini.

Nga ana tjetër edhe deputetja, Myzejene Selmani në emër të Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, i ka dhënë mbështetje kësaj projektrezolutë.

“Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re, është i përkushtuar ndaj përmbushjes të gjitha obligimeve që ndihmojnë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Përkrahim rezolutën duke qenë të vetëdijshëm se përkrahja e miqve nga BE-ja, NATO-ja, Shtetet e Bashkuar të Amerikës, do të jenë edhe më tej të nevojshme që të tejkalohet gjendja e papranueshme në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Selmani.

Më pas kanë vazhduar disktuimet e deputetëve rreth disa ndryshimeve në projektrezolutë. Deputeti nga radhët e PDK-së, Hydajet Hyseni ka dhënë disa vërejtje rredh procedurave për thirrje të seancë të jashtëzakonshme. Gjtihashtu ka dhënë disa vërjetje për draftrezolutën në të cilën janë bërë disa lëshime.

Pas përfundimit të debatit të deputetëve ka ardhur koha e votimit të projektrezolutës, e cila me shumicë votash është miratuar. Nga 106 deputetë, sa ishin në sallë, 83 kanë votuar për, 13 kundër dhe një ka abstenuar.

SHPËRNDAJE