Kryetari i Komisionit për Organizimin e Partisë Demokratike të Kosovës në Mërgatë, njëherësh deputeti i kësaj partie, Elmi Reçica, me bashkëpunëtorë ka pritur vazhdimisht mërgimtarët veprimtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, nga shumë shtete evropiane ku ata jetojnë, edhe pas “Javës së Diasporës”.

Z. Reçica, ka mirëpritur disa mërgimtarë nga Bavaria, me të cilët ka bashkëbiseduar për rolin dhe rëndësinë që ka Mërgata, për projektet e PDK-së për Mërgatën dhe shtetin e Kosovës, si dhe për përgatitjen e Kuvendit zgjedhor të Degës së PDK-së për Bavari.

“Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që të krijojë mundësi dhe hapësirë mërgatës tonë që të jenë sa më prezent në jetën politike të Kosovës dhe të kontribuojnë në zhvillimin e politikave në të mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka theksuar Reçica.

Ditë më parë, kryetari i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, Elmi Reçica, priti në takime të ndara kryetarin e Degës së PDK-së në Zvicër, z. Ragip Xhaka, anëtarin e Kryesisë, z. Xhavit Bajraktari, veprimtarë të çështjes kombëtare, si dhe aktivistë e përkrahës të PDK-së nga Baden-Württembergu.

Z. Reçica ka theksuar se ka diskutuar me drejtuesit dhe anëtarët e Mërgatës për sfidat e përbashkëta, fuqizimin e strukturave të PDK-së në Mërgatë dhe sukseset e Degës së PDK-së në Zvicër, intensifikimin e organizimit të PDK-së në Gjermani, veçanërisht në Baden-Württemberg.

Së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PDK-së, Bajrush Xhemailin, në Selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, është mirëpritur Sefer Buzhala, një mërgimtar i suksesshëm që jeton dhe vepron në Itali.

Seferi është i kyçur në Partinë Demokratike, në jetën politike të vendit ku jeton, ku edhe është arkëtar në selinë e PDK-së në Villafranca Paadovana në Padova.

Në takim është bashkëbiseduar për rolin e Mërgatës tonë, për integrimin dhe sukseset e arritura në vendet ku ata jetojnë, për bashkëpunimin ndërmjet partive tona, për projektin serioz të PDK-së për zgjerimin e saj në Mërgatë, me qëllim të krijimit të mundësive që mërgimtarët tanë të kyçen në jetën politike dhe të kontribuojnë për zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Z. Reçica së bashku me kryetarin Memli Krasniqi, nënkryetarin Uran Ismaili dhe kryetarin e Grupit Parlamentar Abelard Tahiri, kanë vizituar z. Arsen Shoshi së bashku me babain Elezin dhe me familjarë të tjerë në shtëpinë e tij, në Skivjan të Gjakovës.
Arseni është veprimtar i dalluar dhe mbështetës i të gjitha proceseve që kanë qenë jetike për lirinë dhe pavarësinë e vendit, ka cekur z. Reçica.

“Ai është biznesmen i suksesshëm dhe është prej mërgimtarëve të rrallë që ka investuar në arsim dhe aktualisht së bashku me një mik të tij zviceran është pronar i Benedict Schule, shkollë kjo e cila ka mbi 30.000 studentë nga të gjitha kontinentet, ku aftësohen për profesione të ndryshme me një të ardhme të sigurt drejt sukseseve të mëdha”, ka deklaruar Reçica.

SHPËRNDAJE