Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) u ndal mbrëmë me turin e saj parazgjedhor në fshatin Bogovinë. Para banorëve të kësaj zone, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi kërkoi përkrahje për marrëveshjen e re të PDSH-së, e shndërruar në programin e kësaj partie. Legjitimiteti i kësaj marrëveshje do të sillte stabilizim të politikës si dhe përmirësimin të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Më tej në fjalimin e tij, Thaçi u fokusua edhe në buxhetin e Maqedonisë, ku sipas tij qeveria e deritanishme, jo vetëm që nuk i kthen hisen e vet popullatës shqiptare, por e përdorë atë për të ndërtuar kisha e kryqe.

“Këto ishin tri vitet e shkeljes dhe diskriminimit ekonomik dhe fukarallëkut të madh që na imponoi kjo qeveri. Duhet të kihet parasysh vëllezërve që mendojnë më ndryshe se ne, tu themi se; kur dikush të shkelë dhe të bën fukara më lehtë të nënçmon, sundon dhe ofendon publikisht. Kjo heshtje e pakuptueshme të këtyre që I kemi në qeveri tregon se ky popull nuk duhet të ketë shpresa të rrejshme tek ata. Shpresa e vërtetë është platforma politike e PDSH-së. Edhe pse jam i vetëdijshëm se i gjithë aparati shtetërorë, të gjithë mediat maqedonase dhe shërbimet e tyre sekrete natë e ditë angazhohen që të mos legjitimohet kjo platformë por ne jemi të bindur se vullneti i popullit është më i fortë se i gjithkujt”, tha Thaçi.

SHPËRNDAJE