Partia Demokratike e Kosovës ndërmjet një konferencë për media kanë njoftuar se kryetari aktual i komunës së Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza do të jetë kandidatë për kryeministër të vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka dal në konferencë për media së bashku me tashmë të kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamzën.

Kryetari Krasniqi, në një konferencë për media, tha se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.

“Unë, sot jam krenar dhe shumë i lumtur që ta prezantoj para jush Bedri Hamzën, kandidatin tonë për Kryeministër të Republikës së Kosovës. Njeriu që do ta ringjallë ekonominë tonë, njeriun që do ta udhëheqë ekipin më të denjë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Bedriu është i dëshmuar, është i provuar, është i përkushtuar dhe i gatshëm. Bedri Hamza është njeriu i duhur për këtë detyrë. Arritjet e tij në të kaluarën si Ministër i Financave, si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovë, por edhe të arriturat e tanishme si Kryetar i Mitrovicës, flasin më së miri për punën e tij. Në secilën detyrë publike, Bedriu ka shkëlqyer dhe ka lënë prapa rezultatet të mëdha. Ai ka dëshmuar se gjithmonë i ka shërbyer të mirës së përbashkët dhe është siguruar që askush të mos mbetet prapa”, tha ai.

Duke kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë, sepse është dëshmuar se çdo ditë e Qeverisë Kurti në pushtet është ditë e humbur për Kosovën, Krasniqi tha se modelit aktual të udhëheqjes nga një njeri, PDK do t’i vë përballë modelin e udhëheqjes nga një ekip.

“Ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve është dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe gjendja po përkeqësohet dita-ditës. Megjithatë, të dashur bashkëqytetarë, sot nuk është koha për dëshpërim apo dorëzim. Është koha për veprim, për bashkim dhe për vendosmëri të palëkundur për të mundësuar ringjalljen e Kosovës, rikthimin e besimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në këtë fushë do të jetë edhe beteja për qeverinë e re. Për ta ndaluar rënien e mëtejme dhe për të sjellë prosperitet për të gjithë, pa dallim”, shtoi ai.

Kryetari Krasniqi tha se një detyrë e tillë artë kërkon qëndrueshmëri, përkushtim, transparencë, drejtësi, por mbi të gjitha përvojë dhe kompetencë.

Të pranishëm në këtë konferencë janë edhe femijët dhe bashkëshortja e z. Hamza.

 

SHPËRNDAJE