Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nuk do merr pjesë të martën në takimin që e ka ftuar kryeministri Albin Kurti me përfaqësuesit e partive opozitare.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje me shkrim kryeministrit Albin Kurti.

“Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, ka thënë kreu i PDK-së Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i njëjtë dhe konsistent, në mbështetje të Dialogut, të fokusuar në arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Në procesin e Dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, tha Krasniqi.

SHPËRNDAJE