A është rikthyer Lionel Messi? Ai mbase asnjëherë nuk u largua, por kjo është pyetja që po e bëjnë në Francë, pas paraqitjes së tij të mrekullueshëm në fitoren e Paris Saint-Germain 5:1 kundër kampionit Lille në fundjavë.

Messi e shënoi një gol dhe e përgatiti një tjetër, si dhe e goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë, duke qenë shumë afër shënimit të një goli të jashtëzakonshëm, raporton Gazeta Express.

Gazeta e madhe franceze L’Equipe e lartësoi Messin në prag të periudhës së rëndësishme të sezonit, duke iu referuar përballjes së këtij muaji me Real Madridin.

E përditshmja franceze i nënvizoi telashet që i përjetoi Messi në ditët e tij të para në Paris, para se ta lartësonte për paraqitjen kundër Lille të dielën, duke i dhënë notën 7 nga 10 dhe duke e shpallur lojtarin më të mirë të asaj ndeshjeje.

Mediat e tjera franceze iu bashkuan L’Equipes në lavdërimin e Messit, me Foot Mercato që shkroi se Messi po zgjohet në kohën më të mirë, duke e shpallur argjentinasin si më të mirin në planet.

Messi ishte çdo kund të dielën dhe statistikat e mbështesin atë të cilën po e thonë të gjithë këto ditë.

Messi kishte më së shumti goditje në portë (5), ai krijoi më së shumti raste shënimi (6) dhe bëri më së shumti driblime (8) kundër Lille.

SHPËRNDAJE