Kryeparlamentari i Kosovës dhe Ushtruesi i Detyrës i kryetarit të Partisë Demokratiket të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë kësaj jave do të takohet me Kryeministrin Isa Mustafa për të diskutuar rreth një platforme të re për dalje nga kriza.
Kjo platformë mund të përfshijë edhe dakordim për zgjedhje të parakohshme, njofton Top Channel.
Sipas burimeve të këtij mediumi brenda kabinetit të kryeparlamentarit Veseli, oferta mund të rezultojë edhe në mundësinë e vajtjes në zgjedhje të parakohshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por jo në periudhë të afërt kohore.
Kosova ndodhet në krizë politike që nga muaji gusht i vitit të kaluar, kur qeveria nënshkroi marrëveshjet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe atë për Asociacionin e Komunave serbe, ndaj të cilave opozita reagoi duke bllokuar punën e Kuvendit me gaz lotsjellës.