Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtissari, njëherësh ish-ndërmjetësues i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, thuhet në një njoftim të Zyrës së Presidencës finlandeze.

“Infektimi është konfirmuar të hënën, më 23 mars. Presidenti Ahtisaari është mirë, marrë parasysh situatën”, thuhet në njoftim.

Lajmi është konfirmuar edhe nga djali i Ahtisaarit, Marko, përmes një postimi në Twitter.

Ai ka thënë se tre ditë më herët, edhe nëna e tij është konfirmuar si rast me koronavirus.

Ahtisaari, i cili i ka 82 vjet, ka qenë në krye të Finlandës nga viti 1994 deri më 2000.

Më 2008 ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për kontributin shumëvjeçar në ndërmjetësimin e paqes.

Në Finlandë janë konfirmuar 700 raste të të infektuarve me koronavirus dhe një viktimë.

SHPËRNDAJE