Qytetarët e Maqedonisë dhe ata të Serbisë së shpejti do të mund të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime. Ministritë e Brendshme të dy shteteve kanë përfunduar të gjitha detajet dhe çështjet juridike rreth përgatitjes së marrëveshjes ndërshtetërore, me të cilën parashikohet që qytetarët e dy vendeve të mund ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftim. Marrëveshja, sipas zëdhënësit të policisë Ivo Kotevski, pritet të nënshkruhet në fillim të muajit tetor në Ohër.

“Marrëveshja është finalizuar tashmë… Është përgatitur versioni final dhe mbetet vetëm firmosja. Sipas agjendës që kemi, firmosja sipas të gjitha gjasave do të bëhet në fillim të muajit të ardhshëm, në forumin ‘Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor’ që duhet të mbahet në Ohër dhe ku organizator është Maqedonia”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Iniciativa për lëvizjen e qytetarëve të Maqedonisë dhe Serbisë me letërnjoftime, lindi nga ministri serb i punëve të brendshme Ivica Daçiq, gjatë vizitës që zhvilloi në fillim të këtij viti në Shkup. Një gjë e tillë, në maj të këtij viti, në intervistë për ALSAT M e pati konfirmuar edhe ambasadori i Serbisë në Maqedoni Tomisllav Gjurin.

“Republika e Serbisë i ka ofruar Maqedonisë nënshkrimin e marrëveshjes për kalimin e kufijve shtetëror vetëm me letërnjoftim…..Republika e Serbisë marrëveshje të tillë ka me Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi, dhe marrëveshje e tillë i është ofruar edhe Kroacisë… Është e logjikshme t’i ofrohet edhe Maqedonisë, pasi edhe Maqedonia edhe Serbia kanë marrëveshje të tillë me BE-në. Tani i bie që në vendet tona, mund të hyjnë shtetas të BE-së, ndërsa ne si fqinjë të parë të mos të lëvizim vetëm me letërnjoftime”, tha Tomisllav Gjurin, ambasador i Serbisë në Maqedoni.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo duhet të ratifikohet edhe nga dy parlamentet e dy shteteve. Autoritetet tona thonë se me këtë marrëveshje parashikohet që kufirin t’a kalojnë edhe qytetarët që posedojnë letërnjoftimin e vjetër, edhe pse është obligim i të gjithë qytetarëve që të kenë letërnjoftim të ri biometrik, pasi afati i letërnjoftimeve të vjetra mbaron vitin e ardhshëm.

SHPËRNDAJE