Fluks i madh i makinave dhe pritjet të gjata vazhdojnë në pikën kufitare Tabanoc që lidh Serbinë me Maqedoninë.

Pritjet më të gjata po i pësojnë mërgimtarët të cilët kthehen në vendlindje dhe që konfirmojnë se janë të detyruar të presin orë të tëra, edhe përkundër hapjes së disa korsive nga autoritetet kufitare serbe dhe maqedonase në dy pikat kufitare.

“Jam detyruar me prit me familjen time rreth katër orë në pikën kufitare Tabanoc, për shkak se doganierët dhe policët kufitar të të dyja vendeve nuk mërziteshin dhe punonin ngadalë, duke mos mbajt llogari për temperaturat e larta. Kjo është skandaloze dhe sidomos dihet se çdo vit ka kësisoj lëvizje në këtë pikë kufitare dhe pse nuk po ndërmerren masat”, thekson Irfan.R, mërgimtar nga Kumanova, i cili ka udhëtuar me familjen e tij nga Zvicra.

Një pjesë e madhe e mërgimtarëve gjithashtu shprehin revoltë për pritjet e gjata dhe se ata bëjnë të ditur se fëmijët e tyre kanë pësuar sëmundje infektive dhe viruse nga ekspozimi në diell gjatë pritjeve nëpër pikat kufitare. “Në këto temperatura nuk përballohet as edhe kondicionerët e makinave, sepse drejtpërdrejt ballafaqohesh me diellin. Apelojmë që të mos ndodhë më kjo, sepse vërtetë është një tmerrë”, theksoi një mërgimtarë tjetër nga Tetova.

Fluksin e madh të makinave e kanë shtuar edhe emigrantët turq që kthehet përmes Maqedonisë dhe Greqisë në vendlindjen e tyre, por edhe serbët, kroatët dhe qytetarët e vendeve tjera të rajonit që udhëtojnë për pushime në Greqi.

Nga ana tjetër, Auto Moto Lidhja e Maqedonisë dhe MPB japin të dhëna të tjera kontradiktore lidhur me gjendjen në pikat kufitare. Sipas njoftimit të sotëm, gjendja nëpër pikat kufitare është normale dhe nuk ka pritje të gjata. Lidhur me gjendjen në vendkalimin Tabanoc thuhet se nuk ka tollovi dhe se pritjet më të gjata janë deri në 30 minuta. Të dhënat e njëjta janë publikuar edhe gjatë ditëve të fundit.

SHPËRNDAJE