Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli priti sot në një takim Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi. Ky takim u zhvillua në vazhdën e koordinimit të politikave të përbashkëta për diasporën që ministri Makolli i realizon me zyrtarë të lartë të Republikës së Shqipërisë.

Ministri Makolli edhe në herë potencoi se diaspora është një dhe e pandarë, prandaj ai vlerësoi se politikat e të dyja shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, në këtë fushë duhet të jenë të përbashkëta. Në këtë kontekst, Makolli përmendi edhe hartimin dhe zhvillimin e politikave në avancimin e mësimit plotësues për fëmijët në diasporë.

Të dy ministrat, Makolli dhe Bumçi, folën edhe për hapjen e Qendrave Kulturore në Diasporë, ku po ashtu pati një pajtueshmëri të zyrtarëve të lartë shtetërorë se, edhe në këtë çështje duhet të ketë një koordinim të aktiviteteve, për hapjen e tyre.

Në takim u fol edhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të shënimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar. Në këtë aspekt, të dy ministrat, u pajtuan që të bashkëpunojnë ngushtë në organizimin dhe mbështetjeje e një mori aktivitetesh, si organizimin e një simpoziumi shkencor, ku do të trajtoheshin çështje të historisë kombëtare, si dhe aktivitete tjera që ndërlidhen me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe katër vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE