Ekipe nga Australia dhe Britania e Madhe janë në garë për të ndërtuar makinën që do të arrijë shpejtësinë 1 609 kilometra në orë, transmeton Starti shkrimin e BBC.

Ekipi australian synon të ndërtojë mjetin supersonik që do të arrijë këtë shpejtësi për vetëm 20 sekonda.

Shpejtësia që synohet të arrihet është një herë e gjysmë më e madhe se e zërit, ndërkohë që një avion normal udhëtarësh lëviz me gjysmën e kësaj shpejtësie (rreth 800 kilometra në orë).

Makina e emërtuar “Aussie Invader 5R” nuk ka dyer, por vetëm një kapanxhë përmes të cilës, në 12-18 muajt e ardhshëm Rosko MekGlashan do të futet për ta drejtuar mjetin drejt shpejtësisë së synuar.

Është 15 metra e gjatë, do të peshojë 9 tonë kur të mbushet plot me oksigjen të lëngshëm ose bio-kerosen dhe u deshën 10 vjet që të realizohej. Motori reaktiv do të prodhojë 200 mijë kuaj fuqi. Sa për krahasim, një “Ford Fiesta” prodhon rreth 120.

“Kjo është krejt çka kam dashur të bëj: të thyej rekordin botëror të shpejtësisë në tokë. Është jeta ime”, tha 62-vjeçari nga qyteti i Perthit.

Por ai nuk është i vetmi që e ka këtë objektiv, pasi të njëjtin plan ka edhe një ekip britanik. Me anë të makinës “Bloodhound SSC”, Riçard Nobël dhe Endi Grin duan të arrijnë shpejtësinë e plumbit.

Ata duan të thyejnë rekordin aktual prej 1 227 kilometrash në orë, i vendosur në vitin 1997.

“Kjo është makina më e mahnitshme për të cilën kam punuar”, tha Nobël për “Bloodhound”.

Ndryshe nga projekti australian, britanikët do të kenë dy motorë – një normal dhe një reaktiv. I pari do të përdoret për ta çuar makinën në një shpejtësi të caktuar, kurse reaktivi do t’i japë goditjen për ta çuar në kufirin e shpresuar.

Të dy ekipet po këshillohen me specialistë të ndryshëm për projektet e tyre. Sipas specialistëve, një nga problemet kryesore mbetet qëndrueshmëria e makinës kur të arrijë shpejtësinë e madhe.

Trysnia mbi makinën në atë shpejtësi është e pabesueshme, rreth 12 tonë për metër katror, shpjegojnë ekspertët. Prandaj duhet që makina të jetë e fortë dhe e qëndrueshme, sikurse një nëndetëse.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe kostoja e projekteve. Për të përballuar shpenzimet, të dyja skuadrat kanë afruar sponsorë.

Përveç kësaj, karburanti që do të përdoret do të jetë në minimum ndotës për mjedisin.

Ndërkohë, edhe dy ekipe të tjerë po përgatiten për të thyer rekordin e shpejtësisë në tokë. I pari është “The North American Eagle”, një sipërmarrje amerikano-kanadeze që do të ketë një mjet të përdorur më parë nga NASA. I dyti quhet “Fossett LSR” dhe është amerikan. Ndryshe nga dy projektet e mëparshëm, këta të fundit synojnë thjesht të thyejnë rekordin ekzistues, jo domosdoshmërisht të arrijnë shpejtësinë e plumbit.

Kështu që synimi për të arritur shpejtësinë 1 609 kilometra në orë me shumë gjasa do të jetë një garë dyshe dhe mund të arrihet brenda këtij viti ose në fillim të 2013-s.

Në klipin promocional të projekteve paraqitet në start një plumb i shkrehur nga një pushkë “Magnum 357” dhe makina-raketë. Në fillim plumbi kalon përpara, por më pas makina e arrin dhe e kalon. Plumbi mbetet pas në çastin që makina ka arritur shpejtësinë e synuar. Kjo është shpejtësia 1 609 kilometra në orë.

SHPËRNDAJE