Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se problemi mes shqiptarëve dhe serbëve mund të zgjidhet në kthimin e kufijve historikë dhe natyralë të Kosovës që kanë ekzistuar deri në vitin 1956.

Në atë kohë, pjesë e Kosovës kanë qenë Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, por jo Leposaviçi me disa fshatra në veri të Mitrovicës.

Duke folur për një të përditshme kosovare, Haziri sugjeroi se ndryshimi i kufijve mund të realizohet nëpërmjet një dialogu paqësor. “Këto vendbanime (Leposaviçi dhe disa fshatra të Zubin Potokut) me popullatë serbë i janë bashkëngjitur Kosovës me qëllim të ndryshimit demografik të popullatës”, kujtoi Haziri.

Leposaviçi dhe disa fshatra të Zubin Potokut, vendbanime me popullatë serbë i janë bashkëngjitur Kosovës me qëllim të ndryshimit demografik të popullatës, duke u shkëmbyer me Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin

Sipas deputetit, i cili ka  qenë pjesë e bisedimeve për statusin e Kosovës dhe anëtar i dy qeverive të pasluftës, është një nevojë urgjente që të përcaktohet sa më shpejt çështja e kufijve dhe të realizohet një njohje e gjerë ndërkombëtare e pavarësisë.

“Kufijtë vendosur pas Luftës së Dytë Botërore janë kufijtë realë të Kosovës historike”, tha ai, duke shtuar se “shkëputja e territoreve që kanë qenë pjesë e Kosovës është bërë në kuadër të reformave agrare dhe përmes një referendumi të manipuluar popullor që është organizuar nëpër fshatra. Paralelisht me këtë, është bërë shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi me qëllim të ndryshimit demografik të Kosovës. Është bërë ndryshimi demografik duke dërguar fshatra dhe vendbanime shqiptare nën administrimin e Vranjes si qendër administrative dhe në anën tjetër duke sjellë serbë nga Kraleva në qendrën administrative të Mitrovicës”, ka thënë Haziri.

Ai konsideron se përmes një dialogu paqësor mes Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet ripërcaktimi i kufijve. “Një dialog paqësor i përcaktimit të kufijve që kanë qenë deri në vitin 1956 do t’i zgjidhte problemet etnike dhe territoriale mes serbëve dhe shqiptarëve. raportin mes Kosovës dhe Serbisë, problemet e komuniteteve apo pakicave nacionale, dhe problemet territoriale”, ka thënë Haziri.

Deputeti Haziri shtoi se politika e Kosovës duhet të tregohet e guximshme dhe të dalë me qëndrimin politik që ndryshimi i kufijve, i hedhur poshtë vazhdimisht nga liderat kosovarë si ide, mund të jetë një opsion real. Sipas tij, asnjë instancë ndërkombëtare nuk do të mund të hidhte poshtë këtë ndryshim territorial, nëse ai do të kryhet.

SHPËRNDAJE