lisssLis Bukuroca

Të mbrohet njeriu në pushtet, është puna më e lehtë që mund të bëjë njeriu. Njeriu duhet ta luftojë padrejtësinë dhe revolta është legjitime, jo mirëpo për mbetjen e autokratëve në pushtet. Despotët kanë metodat e veta për ta ruajtur karrigen, si kudo, edhe në Turqi.

Keni mijëra arsye të ngriheni kundër pushteti serb, që ka reduktuar Preshevën në një bashkësi lokale. Luftoni për veten! Erdoganin as nuk mund ta mbroni, as ta rrëzoni. Dilni e protestoni për një spital! Presheva është qytetit i vetëm në Europë me më shumë se 30.000 banorë pa të. Me këtë protestë, po i tregoni Europës, se nuk keni asnjë telash në qytezën tuaj. Edhe pse nuk keni as rrugë, e as trotuar për të ecur si duhet.

Dilni e protestoni për spital dhe kështu nuk ju vdesin të afërmit në Vranjë dhe Nish. Është humane të luftohet mjerimi vetjak, por është mungesë vetëdije në këtë hall të ngriheni për të mbështetur njeriun në pushtet, që ka miliona turq pas vete.

Nuk protestoni për shkolla, për kabinete nëpër ato shkolla si gërmadha, nuk protestoni për urbanizëm, nuk protestoni për papunësinë më të madhe në Europë, nuk protestoni se të afërmit pasi të keni paguar mirë mjekët serb, shkoni e i merrni nga Nishi apo Vranja. Erdogani që ka investuar në qindra ndërmarrje serbe, por asnjëherë në Sanxhak apo Luginë, është politikan botëror. Presheva në krahasim me të, nuk është asgjë tjetër pos një lagje e Kalkutës, që patriotizmin e vet, dëshiron ta tregojë për të ndihmuar atë që nuk ka nevojë, por duke shpërfillur skajshmërisht derexhenë e vet. Me atë protestë tregohet vetëm krenaria me kalkultizmin vetjak. Dhe, kënaqësia. Dhe, pajtimi.

Erdogani ka pasur nevojë për mbështetje ditën e puçit, jo tanimë kur ai po zbaton rregullat e puçit. Erdogani ka ditur të jetë politikan edhe pa mbështetjen tuaj. Ata që mbrojnë atë, ngrihen në revoltë në Turqi. Në Turqi nuk protestojnë për punësimin e preshevarëve. Atje nuk protestojnë për një spital në Preshevë dhe kanë të drejtë. Ai që dëshiron ta përmirësojë gjendjen e vet, ai njeri, i jep zë mospajtimit  duke u revoltuar aty ku me ligji i është imponuar mjerimi.

Pajtimi dhe moskundërshtimi i diskriminimit serb, flet për shkëputje e kontaktin me realitetin. Ju mirëpo mund t’ia lejoni vetes, se shumica jeni të papunë dhe duke mos pasur kohë, duke mos pasur guxim të merreni me politikën tuaj lokale, merreni me politikë botërore.

Ju jeni vërtetë trima që mund të shpëtoni Turqinë dhe Erdoganin, por nuk do të jeni kurrë trima dhe të detyroni Serbinë të ndërtojë një spital aty. Madje nuk keni guxim as të protestoni kundër diskriminimit më të madh që mund të ndodhë në një qytet në Europë. Ju vështroni si ndërtohet autonomia serbe në Kosovë, por për këtë akoma nuk keni dëgjuar, nuk keni lexuar dhe akoma nuk jeni mbledhur dhjetë veta për ta kërkuar të njëjtën, çfarë e fitojnë serbet e veriut duke u kujdesur për vetveten, jo për fatin e Putinit.

Nuk keni faj. Ju nuk keni kohë të protestoni për veten. Ju merreni me politikën globale dhe bota pret me padurim protestën me të cilën ju do ta shpëtoni demokracinë dhe Erdoganin në Turqi! Ju jeni vërtetë të ëmbël sepse nuk protestoni për vende pune. Ju jeni vërtetë ëmbëlak si pelush, sepse keni marrë guximin të merreni me politikë të madhe. Edhe atë nëpër tarracat e kafeneve të Preshevës, ku ju nxirrni konkluzione për NATO, SHBA-të, Europën, Azinë, Afrikën, Australinë, por edhe pas kësaj proteste, ju do të shkoni në Nish e Vranjë, do të paguani për shërim qindra e mijëra euro dhe do t’i ktheni të dashurit tuaj, herë të gjallë, e herë si kufoma.

Ai qëndrim, është dezertim nga detyra, nga përgjegjësia që keni për fëmijët tuaj, për gratë tuaja, për prindërit tuaj. Është më lehtë dhe më pak e rrezikshme të mbështetet Erdogani, se sa të ndryshohet gjendja në Preshevë. Një akt të tillë mund t’ia lejojë vetes një njeri, si Nënë Tereza, por jo një popull.

SHPËRNDAJE