Lëvizja islamiste “Bashkohu” i drejtuar një kërkesë tjetër kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ajo kërkesën ua ka shpërndarë sot edhe medieve. Në këtëkesë thuhet:

Ne, lëvizja ‘’Bashkohu ‘’ në emër të xhematit të Kosovës jemi të indinjuar dhe ndihemi të fyer rëndë nga deklaratat e këshilltarit politik të Kryeministrit Blerim Latifi, i cili në kuadër të qasjes së tij armiqësore ndaj Islamit dhe myslimanëve e ka përsëritur qëndrimin e tij fyes ndaj Kuranit në debatin televiziv me Baton Haxhiun.

Ne jemi të bindur se Blerim Latifi nuk e përfaqëson qëndrimin e qeverisë , prandaj kërkojmë nga ju që të merrni masa të menjëhershme që kjo fushatë dëmtuese ndaj tolerancës fetare të ndërpritet.

Njëkohësisht kërkojmë nga ju që t’i jepni fund diskriminimit që po iu bëhet nxënësve myslimanë që bartin shami duke u privuar nga e drejta e tyre për t’u shkolluar në shkollat publike të Kosovës.

Kërkojmë nga ju që deri në fillim të vitit të ri shkollor t’i bëhet zgjidhje institucionale dhe juridike këtij problemi dhe nxënëset që bartin shami të vijojnë mësimin në shkollat publike të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit , që i garantojnë secilit shkollim dhe edukim të papenguar në shkollat publike. Ashtu siç kërkojmë nga ju aplikimin e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike, gjëra këto të cilat i keni premtuar të gjithë ju gjatë fushatës elektorale.

Në shenjë pakënaqësie ndaj këtyre fyerjeve dhe diskriminimit që po iu bëhen praktikuesve të Islamit në Kosovë, ne do të organizojmë protestë paqësore para ndërtesës së qeverisë së Kosovës me datën 22.07.2011, pas namazit të xhumasë, – thuhet në kërkesën e kësaj lëvizjeje, që i ka arritur sot redaksisë.

Lëvizja “Bashkohu” prezanton kërkesa në emër të xhematit, ndonëse interesat e besimtarëve islamë të Kosovës i përfaqëson Bashkësia Islame e Kosovës, e cila jo njëherë ka prezantuar kërkesa për këtë komunitet dhe nuk është pajtuar me veprimet e kësaj lëvizjeje. Për herë të fundit kjo ka ndodhur muajin e kaluar kur veprimtarë të kësaj lëvizje bllokuan rrugët e kryeqytetit duke provokuar incidente me ruajtësit e rendit dhe duke krijuar një imazh të keq për Kosovën.

SHPËRNDAJE