(E plotësuar) – Pasi Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi nuk u paraqitën në gjykatë, gjyqtari Beqir Kalludra lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim.
Deputetët e Koalicionit PAN Blerta Deliu, Flora Brovina e Bekim Haxhiu ishte dashur të dëshmonin në seancën e sotme të gjykimit të katër kolegëve të tyre nga Vetëvendosja për gazin lotsjellës të aktivizuar në Kuvend.
Në gjykatë nga të akuzuarit erdhën vetëm Albulena Haxhiu e Faton Topalli, ndërsa munguan Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi.
Nuk ishte e pranishme as deputetja Flora Brovina që gjithashtu dëshmonte.
Gjyqtari Beqir Kalludra tha se të gjithë ishin ftuar në mënyrë të rregullt dhe sipas tij nuk e kanë arsyetuar mungesën.
“Seanca e sotme shtyhet pasi nuk mund të vazhdohet”, tha Kalludra, duke e caktuar seancën e shtyrë më 10 tetor.
Kalludra më pas lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të Albin Kurtit e Donika Kadaj-Bujupit në gjykatë.
Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Albin Kurti ka munguar edhe në seanca tjera të këtij gjykimi, ndërsa gjyqtari Beqir Kalludra ndaj tij ka lëshuar fletarrestim, të cilin e kishte pezulluar në kohën e zgjedhjeve për shkak se Kurti ishte kandidat për kryeministër i Vetëvendosjes.
***
Seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të akuzuar të Vetëvendosjes për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi është shtyer.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shtyer këtë seancë për shkak të mungesës së Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupi.
Duke qenë se seanca gjyqësore nuk plotësoj kushtet për tu mbajtur për shkak të mungësës së të akuzuarve, mori vendimin për të shtyer.
Dëshmitar në këtë rast kanë qenë Blerta Kodra-Deliu dhe Bekim Haxhiu.
Ndërsa, të akuzuarit të cilët kanë qenë prezent në seancë janë Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.
Ndryshe, aktakuza ndaj katër deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 16 dhjetor 2015