Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara ishin në prag të një lufte bërthamore në vitin 1962. E gjithë bota mbante frymën. Një vit më vonë, Uashingtoni dhe Moska kishin vendosur një linjë direkte komunikimi, e cila kontrollohej rregullisht për të mos pasur probleme. Por çfarë të duhet një linjë e tillë kur dikush në anën tjetër të receptorit nuk do të të përgjigjet? Ka ndodhur kështu me Hillari Klinton dhe Sergej Lavrov. Sekretarja e Shtetit, Klinton, një nga gratë më të fuqishme në botë, ka tentuar të telefonojë Lavrov për 24 orë rresht dhe ai thjesht nuk ia ka ngritur telefonin. Siç raporton Spiegel, në qendër të bisedës do ishte çështja e Sirisë. SHBA po tenton të zbusë Rusinë në qëndrimin e saj të prerë kundër një rezolutë dhe çdo ndërhyrje në Siri. Vetë zëdhënësja e Klinton konfirmon jo pa çudi se Klinton është përpjekur për 24 orë për të telefonuar homologun rus. ‘Sinqerisht është përpjekur shumë,’ tha zëdhënësja Nuland. Por Lavrov, i cili ndodhej për vizitë në Australi, ka shkuar më tej me cinizmin, duke thënë se është fyerje të shkëputej nga takimet dhe të fliste. Çfarë do të thotë kjo fyerje për Klintonin? Ajo tregon se Rusia është shumë e vendosur në qëndrimin për Sirinë, të vetmin aleat që ka tani në rajon. Mbi 20 miliard dollarë janë investimet ruse në Siri. Shto këtu një bazë detare. Sergej Çemesov, shef i gjigantit shtetëror Rostechnologij, është një nga njerëzit më të fuqishëm në Rusi. Ai thotë se nuk ka shans që të tërhiqen nga Siria. Dhe e di shumë mirë njeriu që ka nën varësi mbi 500 sipërmarrje e fabrika, mes tyre edhe për armatim. Çemesov i druhet efektit domino. Nëse Siria bie, Rusia humbet ndikimin mbi çdo klient tjetër.(Tema)

SHPËRNDAJE