Që nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, mërgimtarët e vendit do t’i kenë tre ose pesë përfaqësues në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Një gjë e tillë është kërkuar që nga themelimi i Ministrisë së Diasporës në Kosovë, ndërsa, vet ministri Ibrahim Makolli ka thënë se deputetët e diasporës në të ardhmen do të kenë rol shumë të rëndësishëm në Kuvend, ashtu siç e kanë pasur rolin më të rëndësishëm edhe në zhvillimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.
Diaspora e Kosovës, e cila ka kontribuuar shumë në zhvillimin e vendit që nga koha e paraluftës, gjatë saj, por edhe në periudhën e pasluftës, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik e social të shtetit të Kosovës, tashmë do të jetë edhe vendimmarrëse, shkruan Lajm.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se procedurat për përfshirjen e diasporës në Parlament kanë filluar që nga krijimi i kësaj ministrie, duke e vlerësuar lartë rolin e këtij komuniteti të qytetarëve të Kosovës në vend.
“Unë, me vet faktin që e kam paraqitur kërkesën menjëherë pas themelimit të komisionit parlamentar, e kam vlerësuar dhe e vlerësoj lart rëndësinë e pjesëmarrjes së mërgatës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe mendoj se është një kërkesë e arsyeshme që të ketë përfaqësim në këtë kuadër dhe unë vazhdoj të besoj që mërgata jonë do të jetë e përfaqësuar drejtpërdrejt që nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, është shprehur Makolli, duke shtuar se në këtë kuadër nevojitet rregullimi i legjislacionit sa i përket kësaj çështjeje.

SHPËRNDAJE