Në skenën politike dhe institucionale të Gjilanit, sot më shumë se kurrë po bëhet e qartë ndarja midis një qasjeje aktive e përfaqësuese, dhe një tjetre të zbehur e të izoluar. Këto dy rrugë përfaqësohen nga dy figura kyçe: Kryetari i Kuvendit të Komunës, z. Kushtrim Kadriu, dhe Kryetari i Komunës, z. Alban Hyseni.
Kadriu: Një model i ri përfaqësimi dhe angazhimi
Që nga emërimi i tij në krye të Kuvendit të Komunës, z. Kadriu ka sjellë një frymë të re në mënyrën e funksionimit të institucionit. Ai jo vetëm që ka forcuar transparencën dhe debatin demokratik brenda Kuvendit, por ka hapur dyert për bashkëpunime me nivel të lartë, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, është kulmi i këtij angazhimi, ku me propozim të Kadriut, presidenti u shpall Doktor Honoris Causa në një ceremoni solemne që shënoi një moment të rëndësishëm për jetën qytetare dhe institucionale të Gjilanit. Më tej, qyteti do të mirëpresë edhe ish-presidentin e Kroacisë, z. Stjepan Mesić, një tjetër dëshmi e fuqizimit të profilit ndërkombëtar të Kuvendit të Komunës.
Kadriu ka treguar se me vizion dhe përkushtim, një institucion lokal mund të bëhet qendër e bashkëpunimeve serioze dhe e nderimeve të vlerave kombëtare, edhe pa pasur kompetencat ekzekutive që gëzon kryetari i Komunës.
Hyseni: Premtime të mëdha, mungesë përfaqësimi dhe stagnim në zhvillim
Në kahun tjetër qëndron z. Alban Hyseni, i cili ndonëse përfaqëson Vetëvendosjen, partinë në pushtet në nivel qendror, nuk ka arritur të shfrytëzojë këtë mbështetje për të sjellë zhvillim të prekshëm në qytet.
Përkundrazi, qytetarët kanë përjetuar një mungesë të theksuar të projekteve konkrete, rrugë të papërfunduara, hapësira publike të paqëna dhe shërbime komunale të dobëta. Mungesa e investimeve serioze në infrastrukturë, në arsim dhe në kulturë, ka bërë që Gjilani të mos përparojë, por të stagnon në një gjendje pritjeje e zhgënjimi.
Përveç mungesës në terren, z. Hyseni ka dështuar edhe në përfaqësimin institucional të qytetit. Në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë vizitë të nivelit të lartë të iniciuar apo pritur nga ai – një boshllëk që është edhe më i papranueshëm kur merret parasysh lidhja e tij politike me qeverinë qendrore. Në vend që kjo lidhje të sillte projekte dhe përkrahje, Gjilani ka mbetur i anashkaluar dhe pa zë.
Dy qasje, dy rezultate
Në një qytet ku pritjet kanë qenë të larta, veçanërisht për një drejtues që vjen nga partia e qeverisë, Alban Hyseni nuk ka arritur të konvertojë kapitalin politik në rezultate për qytetarët. Ndërkohë, pa zhurmë e pa premtime të mëdha, Kushtrim Kadriu po fiton besim me veprime konkrete dhe një qasje serioze ndaj institucioneve dhe përfaqësimit.
Ky kontrast i thellë mes dy figurave të nivelit të lartë të qytetit e bën gjithnjë e më të qartë se drejtimi i suksesshëm i një institucioni nuk varet vetëm nga pozita formale apo partia, por nga përkushtimi real për qytetin dhe qytetarin.