“Nëse ushtria jonë, me 100 apo 200 MIG-a nuk mund të bombardojë artilerinë kroate e cila “qëllon refugjatët serbë”, atëherë shtrohet pyetja çfarë do të bëjmë nesër nëse Shqipëria vendos ultimatum për Kosovën. A do të thotë Bora [Borisav] Joviqi (ish-kryetari serb i Kryesisë së Jugosllavisë) se duhet të negociojmë sepse Shqipëria është shumë e fortë që të luftojmë me të?” – Zoran Gjingjiq, ish-kryeministri serb.
Në prag të njëzetvjetorit të vrasjes së ish-kryeministrit serb Zoran Gjinigjiq, bashkëpunëtori i afërt i tij, lideri i Partisë Socialdemokrate (PDS) dhe ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka zbuluar në një intervistë për televizionin serb “TV Insajder” fakte dhe rrethana të panjohura deri më tani lidhur me aktivitetet e ish-kryeministrit në lidhje me Kosovën, të cilat hedhin një dritë tjetër mbi ngjarjet e dy dekadave më parë.
Tadiq ka pretenduar se “pikërisht para vrasjes, Gjiingjiqi ka dal me një iniciativë me të cilën ka kërkuar nga politikanët perëndimorë që të rishikojnë çështjen e Kosovës dhe të kthehet sërish publiku ndërkombëtar, për të hyrë në procesin e negociatave”. Ai ka shtruar çështjen e kthimit të 1.000 forcave serbe, në Kosovë, pra në kufijtë me Shqipërinë, me Maqedoninë e kështu me radhë, dhe për fat të keq jo në mbrojtje të popullatës serbe, sepse kështu është përcaktuar me Rezolutën 1244”, ka theksuar Tadiq, transmeton Paparaci.
Më 18 janar 2003, ish-kryeministri serb Gjingjiq në një nga intervistat e tij të fundit që ka thënë për televizionin publik serb RTS, se në “Kosovë kërcënohen interesat e shtetit serb dhe se ato kërcënohen çdo ditë, se atje, pas shpine, po krijohet një situatë e caktuar, dhe gjithçka është nën pretekstin se ende s’ka ardhur koha. BE-ja duhet të marrë iniciativën, Amerika ka probleme me Irakun, le të marrë BE-ja një mandat për t’u marrë me këtë çështje. Le ta zgjidhë në mënyrën e Marrëveshjes së Dejtonit: paprekshmëria e kufijve të jashtëm, të drejtat kolektive për bashkësitë etnike, marrëveshje. Jo në mënyrë të njëanshme dhe jo në bazë të kompaktësisë etnike. Të mbrohen interesat e shtetit të Serbisë, e jo vetëm qytetarëve individualë serbë, refugjatëve, të cilët janë shumë pak në Kosovë. Unë po kërkoj të definohen të drejtat e shtetit serb në Kosovë, përveç të drejtave të serbëve, këto janë dy gjëra të ndryshme. Unë kërkoj që të më thonë se në afat prej 10, 15, 20 ditëve, se kur do të kthehen mijëra policë dhe ushtarë serbë sipas rezolutës 1244. Le të thonë vitin e ardhshëm, le të thonë për një mijë vjet, por le të thonë kur dhe në lidhje me këtë do të përcaktojmë politikën tonë”, ka pretenduar në atë kohë Gjingjiq.
Për urgjencën e zgjidhjes së “çështjes së Kosovës”, ndër të tjera, ai ka folur për media nga Banjallukë, rreth tri javë para vrasjes. “Kur flitet për interesa kombëtare, atëherë Amerika mund të ketë interes kombëtar në Irak, e Serbia nuk mund të ketë interes kombëtar në Kosovë, sepse nuk e meriton. Ne meritojmë të respektohen interesat tona kombëtare”, ka thënë ai. Duke folur për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai ka vlerësuar se ajo i ka marrë Serbisë atributet e sovranitetit në Kosovë, përkatësisht pushtetin legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv, si dhe çështjen e sigurisë.
Duke shpjeguar se çfarë ndodhi ndërkohë, ai ka deklaruar se “ata filluan t’i transferojnë ato atribute në strukturat vendore, se pushteti legjislativ është plotësisht sovran në Prishtinë dhe se po miratohen ligje, si dhe pushteti ekzekutiv, duke theksuar se kanë një qeveri plotësisht autonome në raport me Serbinë, e pastaj edhe atë gjyqësor. Shikoni sigurinë dhe i gjithë procesi shkon në atë drejtim që një moment të gjitha atributet e shtetësisë do të kalojnë tek institucionet vendore shqiptare dhe pastaj bashkësia ndërkombëtare do të thotë të shohim se si do të bashkëpunojnë Beogradi dhe Prishtina. Ne kemi dy sisteme juridike, ekonomike dhe politike plotësisht të pavarura dhe tani ju i harmonizoni. Nëse nuk mundeni, keni pesë vjet për të arritur një marrëveshje. Dhjetë, pesëdhjetë, por gjatë asaj kohe jeni jashtë integrimeve evropiane”, ka thënë Gjingjiq, përcjell Paparaci.
Ai ka shtuar se u bë e qartë se nga njëra anë flitet për shtyrjen e statusit final deri në momentin kur kjo mund të bëhet në mënyrë paqësore dhe se gjatë kësaj kohe po ngrihen standardet, po zbatohen disa kritere në Kosovë. Marrëdhëniet e përditshme po kthehen dhe pas paravanit po krijohet një gjendje. Ai ka kërkuar që të dihet menjëherë statusi dhe ata kanë thënë se nuk ishte koha. “Pse jo, pse nuk është koha?” Atëherë pse i jepni parlamentit të “Kosovës dhe Metohisë” që të vendosë për çështjet e sistemit ekonomik, që është përgjegjësi e shtetit qendror, pse ia kaloni përgjegjësinë e sigurisë Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pse vendosni pika kufitare dhe të mos pyesni Beogradin? Dhe, sikur mirë është kjo. Nuk është mirë, nuk mund të jetë mirë”, ka thënë ai. Ai përmendi se ideja e federalizimit është shumë e thjeshtë, në atë që “serbët në Kosovë do të njihen si popull përbërës që do të kenë institucionet e tyre në kuadër të institucioneve të përbashkëta”.
“Më e keqja është që Kosova të jetë de facto e pavarur, dhe pastaj si gur mulliri, si Kosovë e tillë e pavarur shqiptare, të ngulin në këmbë dhe të thonë “ju jeni përgjegjës për të dhe derisa të harmonizoni marrëdhëniet, nuk mund të lëvizni përpara”. Kjo do të thotë, se ne përgjithmonë jemi të përjashtuar nga historia. Dhe për këtë na thonë nesër: “Meqë jeni i njëjti vend, duhet të lejoni biznesmenët shqiptarë të blejnë në Serbi, të marrin pjesë në privatizime e kështu me radhë. Le ta blejnë Terazijen me dollarët e tyre të drogës dhe miliardat që kanë, le të blejnë industrinë e energjisë elektrike dhe Serbia nesër të jetë praktikisht shtet shqiptar”. Kjo nuk do të ndodhë, ne këtë nuk do të lejojmë”, ka pretenduar Gjingjiq.
Ai gjithashtu ka pretenduar se bashkësia ndërkombëtare po përpiqet ta reduktojë çështjen në çështje të të drejtave të serbëve si pakicë kombëtare.
“Edhe nëse serbët, që nuk është e mundur, i kanë të gjitha të drejtat në Kosovë, të drejtat e Serbisë as që janë përmendur. Ne duam përparim në të dy pistat. Nga njëra anë, sigurisht që serbët e dëbuar të kthehen dhe ata pak që ende nuk janë dëbuar të kenë siguri. Por, edhe shteti i Serbisë duhet t’i përcaktojë qartë të drejtat e tij. Ose se nuk i ka ato të drejta, por atëherë le të thotë Këshilli i Sigurimit: “Serbia nuk ka të drejta, ne i dhamë pavarësinë Kosovës”. Ne nuk do të bëjmë luftë me Këshillin e Sigurimit, por duam të dimë se ku jemi. Kjo që kemi tani është më e keqja”, ka thënë ai.
“Unë kam thënë – nëse për Serbinë nuk vlen ajo që ishte e vlefshme në Dejton, që është se komunitetet nacionale kanë marrë statusin e tyre kolektiv dhe se kufijtë janë të pandryshueshëm, që të thuhet – mirë, të gjitha ato republika të ish-Jugosllavisë janë shtete. Pra, nëse kjo nuk vlen për Serbinë, dhe nuk mendoj se do të zbatohet për askënd tjetër, si e shpjegoni se i vetmi precedent u krijua për Serbinë. Unë thashë: Unë jam për ruajtjen e Dejtonit, por le të gjejmë një kompromis përmes bashkëpunimit rajonal, përmes bashkëpunimit dypalësh të pjesës shqiptare të Kosovës me Shqipërinë, të pjesës serbe të Kosovës me Serbinë, të Republikës Serbe me Serbinë, të asaj kroate me Bosnjën dhe Kroacinë, pa ndryshim kufijsh, pa vendosur çështje sovraniteti. Por, nëse doni të krijoni një shtet shqiptar në shekullin 21 në territorin që i përket shtetit të Serbisë, atëherë do të rihapni procesin që keni menduar se e kishit mbyllur. Dhe kjo nuk është dëshira ime, ky është një përshkrim i situatës”, ka thënë Gjingjiq./Paparac