Pavarësisht mocionit për marrjen e masave reciproke në raport me mallrat serbe, të miratuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, në ekzekutivin e vendit thonë se nuk do të mund të merret ky hap, meqë vendimi për reciprocitet me Serbinë, në aspektin tregtar, “ekziston dhe aktualisht është duke u zbatuar”.

Këtë e pohon të paktën zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, njëherësh Ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas saj, i mbetet iniciuesit dhe partive që kanë votuar këtë mocion, të sqarojnë se cilat duhet të jenë veprimet që duhet realizuar në raport me reciprocitetin politik dhe ekonomik.

“Ju e dini se Serbia vetëm i ka njohur vulat e Doganave të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe Kosova me heqjen e masave të reciprocitetit. Prandaj ne, realisht, jemi në një raport reciprok me Serbinë sa u përket vulave doganore”.

“Nëse kërkohet bllokadë apo mbyllje e kufirit, ai është tjetër mocion dhe do të kuptonte diçka tjetër. Por, nëse thuhet masa reciproke me Serbinë në aspektin tregtar, atëherë ne jemi duke i zbatuar këto masa, për shkak se ka njohje reciproke të vulave”, thotë Kusari Lila.
Lëvizja Vetëvendosje ka qenë iniciuese e mocionit për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë. Ky mocion në Kuvendin e Kosovës është miratuar me 42 vota për, 33 kundër, ndërsa 2 deputetë kanë abstenuar.

Kërkesat e mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje janë që qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë; që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe që qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Serbia, që nga fundi i vitit 2008, ka bllokuar mallrat kosovare për tregun serb, si dhe kalimin transit të tyre, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, ka vendosur masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që janë ndërprerë më 16 shtator, pasi që Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në Bruksel për tregtinë e lirë dhe njohjen reciproke të vulave doganore.

SHPËRNDAJE