Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ka theksuar se e ka të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe se kjo është diçka që nuk po kërkojnë të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë.
Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që ju dhe partitë politike po tentoni të impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni këtë?”, -shkruan Kurti.
“President, meqenëse prioriteti im i parë si kryeministër, si dhe prioriteti i parë i të gjithë qeverisë të cilën e udhëheq, është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të COVID-19, çdo çështje tjetër partiake apo politike duhet konsideruar e rëndësisë dytësore apo tretësore, duke përfshirë në veçanti ndërhyrjet tuaja të vazhdueshme, të cilat po e pengojnë punën e qeverisë në mes të një gjendjeje emergjente të shëndetit publik”, shkruan në letrën e Kurtit, duke nënvizuar se “nuk është detyrë e presidentit që të imponohet me shkresa duke kërkuar emra kandidatësh për kryeministër. Sidomos jo në një periudhë të emergjencës shëndetësore”.
“Por më lejoni të theksoj, se kjo shkresë nuk është refuzim për t’ju dhënë një emër të kandidatit për kryeministër. Është një rikujtim i kornizës së kompetencave tuaja dhe detyrimeve kushtetuese që bien mbi institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, sepse nuk është në diskrecionin tuaj që të impononi skenarë jokushtetues”, thuhet mes tjerash në letrën e zotit Kurti