Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku vizituan sot Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova, për t’i parë nga afër punimet që thanë se po bëhen “drejt finalizimit të ndërhyrjeve restauruese”.

“Aty, ata u mirëpritën nga familja Rugova të cilët u shprehën mirënjohës për kujdesin institucional dhe rezultatin e punës së bërë deri më tani”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Rezidenca e Presidentit historik Ibrahim Rugova do të vazhdojë të ruaj kujtesën mbi njërën ndër periudhat më të rëndësishme të popullit tonë”, citohet të ketë thënë kryeministri.

ZKM thotë se “ai falënderoi znj. Rugova dhe familjen Rugova për bashkëpunimin dhe qëndresën”.

“Kryeministri tha se jemi të interesuar që të shkojë gjithmonë mirë dhe të dalë gjithçka sa më bukur, dhe objekti i Rezidencës të jetë sa më reprezentativ për vizitorët të cilët këtu edhe ndjehen këndshëm dhe kanë shumëçka të mësojnë”, thuhet në njoftim.

Sipas ZKM-së, restaurimi po udhëhiqet nga “ekipe profesionale në respekt të vlerave që ka kjo shtëpi, e cila është pjesë e listës së aseteve të trashëgimisë që mbrohen me ligj”.

SHPËRNDAJE