Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se ka shprehur gatishmërinë që t’i ndihmojë ekonomikisht komunën e Preshevës dhe Bujanocit.
Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, ai ka biseduar me kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi dhe kryetarin e Preshevës, Shqipërim Arifi.
“Dy kryetarët, Kamberi dhe Arifi e njoftuan Kryeministrin në detyrë Kurtin mbi menaxhimin e situatës me virusin Korona. Deri me tani janë tre të infektuar në Bujanoc, kurse asnjë i infektuar në Preshevë. Autoritetet lokale të të dy komunave janë të përkushtuara në luftimin e pandemisë COVID-19 për gjithë qytetarët e saj”, thuhet në njoftim.
Për ndihmën ekonomike për këto dy komuna, Kurti thotë se do të komunikojë edhe me ministrin në detyrë të Financave.
“Kryeministri në detyrë Kurti, në emër të Qeverisë të Republikës së Kosovës dy kryetarëve, Arifit dhe Kamberit, ua shprehu gatishmërinë e mbështetjes socio-ekonomike dhe humanitare. Për të konkretizuar përkrahjen me kryetarët Arifi dhe Kamberi do të komunikojë edhe me Ministrin në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi”, thuhet në njoftim.