Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë që të importojë energji elektrike për shkak të mungesës së saj. Ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka thënë se e kanë mirëpritur vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të ulur tarifat dhe për të zhvendosur pragun e bllokut tarifor nga 600 kilovat në 800 kilovat, shkruan Gazeta Express

“Sivjet do të duhet që të vazhdojmë që të importojmë energji elektrike andaj kemi një hendek të kushtueshëm që na duhet ta mbulojmë. ZRrE dje ka bërë publik vendimin e saj në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike. Më këtë vendim ajo përveç që ka ulur tarifat që fillimisht i kishte propozuara, poashtu ka zhvendosur  pragun e bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh”, ka thënë Kurti.

Ai tha se kanë rritur edhe shumën e subvencionimit të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak.

“Përballë tarifave të reja të ZRrE-së ne tani kemi zotuar 100 milion euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët e tanë. Pra shumën fillestare prej 75 milion euro e kemi ngritur në 100 milion. Besoj që kjo shumë e zotuar e ka mundësuar uljen e çmimeve të tarifave që fillimisht ishin propozuar nga ZRrE-ja dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600 kWh në 800 kWh”, tha më tutje ai.

Kryeministri më tutje deklaroi se çmimi i rrymës për konsumatorët shtëpiak do të mbetet i pandryshuar dhe se tarifat e reja do të aplikohen vetëm për shpenzimet mbi 800 kWh.

“Çmimi i energjisë elektrike për të gjithë qytetarët që janë konsumatorë shtëpiak mbetet i pandryshuar për 800 kWh orëshin e parë të shpenzuar. Tarifat e reja do të aplikohen vetëm për shpenzimet mbi 800 kWh”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE