Kuadrot shqiptare kanë humbur disa nga pozicionet udhëheqëse në Sekretariatin e Punëve të Brendshme (SPB) në Kumanovë.

Punonjës të policisë në Kumanovë dhe Likovë theksojnë se kuadrot shqiptare kanë humbur disa nga pozicionet kyçe udhëheqëse në SPB e këtyre komunave, por që kjo sipas tyre, ka ndodhur për shkak të pafuqisë politike nga ana e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Siç bëhet e ditur janë humbur pozicionet me peshë dhe që asnjë kuadër shqiptarë gati nuk bën pjesë në mbledhjet e rregullta me kryeshefin e SPB-së në Kumanovë.

Me ndryshimet e reja të Ligjit për MPB-në, stacioni policor në Mateç që përfshin komunën e Likovës tanimë funksionon si pjesë përbërëse e stacionit policor të Kumanovës, edhe pse para kësaj njihej si stacion i posaçëm, me më shumë kompetenca.

Sipas marrëveshjes dhe ndarjes së detyrave të larta në SPB të Kumanovës sipas marrëveshjes VMRO-DPMNE dhe BDI, janë humbur gati të gjitha pozicionet e larta udhëheqëse që drejtoheshin nga kuadrot shqiptare. Me këtë janë humbur postet udhëheqëse: kryeshefi i Kontrollit të Brendshëm në nivel rajonal, Komandanti i Komunikacionit ( edhe ndihmësi është kuadër maqedonas), komandanti i Policisë Kufitare në Goshincë të Likovës gjithashtu është kuadër maqedonas, edhe pse mbi 90 për qind janë policë shqiptarë. Sipas njoftimeve të INA-s, edhe me ndryshimet e fundit dhe sistematizimin brenda MPB-së, janë shuar dy poste udhëheqëse që drejtoheshin nga kuadro shqiptare si: Komisari i policisë dhe kryeinspektori i krim policisë në trupin këshillëdhënës pranë kabinetit të kryeshefit të policisë. Ky vendi i fundit është shëndërruar në detyrë të re, e cila sërish udhëhiqet nga një kuadër maqedonas nga Kriva Pallanka.

Punonjësit shqiptarë në radhët e SPB-së në Kumanovë numërojnë edhe nivele të tjera jo të plotësuara të përfaqësimit në radhët e MPB-së.

SHPËRNDAJE