Tërheqja mes Enver Hoxhës dhe Nexhmije Xhuglinit është vënë re në në momentet e para të njohjes. Ajo që bie në sy është kujdesi i tepërt dhe “ngacmimet” e Enver Hoxhës ndaj vajzës së re të grupit komunist. Siç e përshkuan edhe vetë Nexhmije Hoxha në librin me titullin “Lufta jonë çlirimtare”, pothuajse në të gjitha takimet Enveri tregonte një kujdes që ajo fillimisht nuk e kuptonte. Pas shumë takimesh dhe përpjekjesh për t’ia shpjeguar çështjen “anës e anës”, Enveri vendosi t’ia thotë gjërat copë. Teksa Nexhmija po i bënte kafen, ai hedh “bombën” dhe i propozon për martesë. Ja si e tregon vetë Nexhmije Hoxha këtë moment në librin e saj të ri:
“…Unë po përfshij këtu tekstualisht, pa asnjë ndryshim, pjesën  ku tregoj se si më propozoi Enveri për martesë. E bëj këtë kryesisht për brezat e rinj të lexuesve, por edhe për faktin se ai është një përshkrim autentik, i bukur, ashtu siç e kam ndier unë atëherë, i faktit dhe i formës që zgjodhi Enveri për të ma shprehur dashurinë e tij ndaj meje dhe nuk desha t’ia prek origjinalitetin, po ta jepja këtu të përmbledhur e me perifrazime.
Po si ndodhi? Më 22 maj (1942) shkova në bazën e Enverit, te shtëpia pranë centralit elektrik të Tiranës (sot ai nuk ekziston më, aty është ndërtuar një ambasadë). Ishte afërsisht ora 10. Aty gjeta Enverin. U gëzua kur më pa dhe më çoi në dhomën që kam përshkruar, ku kishte dy divane, mbuluar me çulle të kuq. Nga dritarja e vetme, por e madhe, hynte një diell i bukur e i ngrohtë pranveror. Pasi më pyeti për disa çështje pune me rininë, u ngrit e mori një album. Erdhi dhe u ul pranë meje, te divani. “Do të shohësh disa fotografi të miat, kur kam qenë i ri, në Gjirokastër, Korçë dhe në Francë? Ia mora motrës, nënës së Luanit (Omari)” më tha dhe, pa marrë përgjigje, filloi ta shfletojë, duke m’i prezantuar njerëzit e familjes, gjyshen, prindërit, motrat, kushërira e kushërinj të parë, të xhaxhait e të dajës së tij. Duke komentuar një fotografi të tij të bukur, ku kishte dalë me një kostum të mirë, me kravatë “papijon” dhe shami të bardhë në xhep, më tha duke qeshur: “këtë kostum ia mora djalit të dajës, Zihni Çuçit, që studionte në Vjenë për mjekësi”. Pastaj më njohu me shumë shokë nga Gjirokastra dhe të tjerë të Liceut të Korçës. Pothuaj të gjitha këto fotografi janë të njohura nga publiku, pasi janë botuar dhe janë ekspozuar në raste të ndryshme. Në album kishte edhe fotografi të tjera, të bëra në Francë, në Monpelje e Paris, me shokë shqiptarë dhe me ndonjë vajzë. Në një fotografi kishte dalë me Vedat Kokonën, në një plazh, me rroba banjoje dhe me një vajzë në mes; në një tjetër ishte një grua, ca e shkuar nga mosha, me një çantë pazari, e fotografuar në rrugë, të cilën ma prezantoi si zonjën e shtëpisë ku rrinin me qira; në album ishte dhe fotografia e një vajze të re, brune, e bukur, e vetmja foto portret. Ai nuk foli për të dhe unë nuk e pyeta, as atëherë, as më vonë dhe asnjëherë gjatë jetës sonë të përbashkët. Për mua ishte e qartë, nuk mund të pretendoja, as të përfytyroja që një i ri, si qe Enveri, aq më tepër që ishte në Francë, dhe të bënte atje një jetë asketi, kjo nuk do të ishte e natyrshme.
Siç ishim të mbështetur te muri, të ulur pranë njëri-tjetrit e tek po më tregonte këtë fotografi të fundit, tentoi të mbështeste kokën te supi im, si për të më shprehur pa fjalë: “unë ty të dua”. Menjëherë ngrita supin, si për t’i thënë: “mos guxo!”. Ai e mbylli albumin dhe u ngrit. Mua në vetvete më qeshej, se e kuptova përse m’i tregoi ato fotografi, por nga ana ime nuk bëra asnjë pyetje, asnjë reagim, nuk tregova asnjë kuriozitet. Kjo Enverin e vuri në siklet dhe, me siguri, mendoi: “Si t’ia bëj kësaj? Kjo s’marrka vesh…” dhe pasdreke ma punoi: Ai vendosi të flejë pas buke dhe më tha: “më zgjo ora 5”. Unë ndenja në dhomën e bukës duke lexuar. Në orën pesë hyra në dhomën tjetër. Ai nuk po flinte, ishte ngritur përgjysmë, po rrinte ndenjur në divan dhe pinte cigare. Dhoma ishte mbushur me tym. Dukej që Enveri kishte fjetur pak ose aspak. Unë shkova e hapa mirë dritaren dhe, kur po sillesha nëpër dhomë, duke mos ditur ç’të bëja, ai tha:
– Mund të më bësh një kafe? Po të duash, bëj edhe për vete.
– Me gjithë qejf,- i thashë.- Unë, zakonisht, nuk e pi, se më prish gjumin.
Shkova në kuzhinë, mora gjithë çfarë duhej në një tabaka, bashkë me një kafetierë të vogël me korrent dhe u ktheva në dhomë. I vura ato mbi një tavolinë, në fund të dhomës, ku ishte dhe priza. Ndërkohë që unë isha me shpinë nga ai, duke përgatitur kafenë, Enveri ia pati që andej ku po rrinte: “E di, Nexhmije, meqë s’po kupton gjë ose bën sikur nuk kupton, unë po ta them: dua të martohem me ty”.
Unë ngriva e tëra. Një propozim i tillë, i thënë kaq “bram”, më ra si bombë në kokë. Nuk e prisja të më qëllonte shfaqja e dashurisë nga ana e një djali në mënyrë kaq “prozaike”, mua një vajze romantike, që dashurinë e imagjinonte ndryshe, dhe që, sidomos në kushtet e luftës, ajo i trembej dashurisë e jo më martesës.
Për të mbledhur veten nga turbullimi që më shkaktoi ky propozim i papritur, e zjeva disa herë kafenë, sa Enveri tha, si me të qeshur: “akoma s’u bë ajo kafeja?”. Desha s’desha, mbusha filxhanin dhe ia çova. Me sa duket, unë isha skuqur në fytyrë, pasi, kur mori filxhanin dhe më vështroi gjatë, më tha, ashtu i qeshur dhe me një zë të ëmbël e qetësues: “S’e prisje, ë? Pa ulu këtu, se nuk të ha!”. Dhe ia plasi gazit me të madhe. Unë u ula në anë të divanit, e heshtur e duke luajtur me gishtat e mi. Ai foli, por tani më serioz: “E, ç’thua?”. Unë gjithnjë pa e parë në fytyrë, thashë: “Unë nuk martohem gjatë luftës…”.
“Po kush tha të martohemi gjatë luftës? Unë me propozimin që të bëra desha të të them se të dua dhe se e kam seriozisht…, por ti, nga ana jote duhet të mendohesh mirë, të shohësh se ç’të thotë zemra jote, të mendohesh mirë edhe duke pasur parasysh se kemi një diferencë jo të vogël vitesh…”. Unë atëherë isha 21 vjeçe dhe Enveri 34. Kjo diferencë vitesh Enverin e preokuponte shumë, prandaj ma përsëriti disa herë deri në kohën që unë vendosa. Por, siç kuptoja unë, ai nuk preokupohej se mos kjo diferencë më bënte mua të mos pranoja propozimin e tij. Preokupacioni i Enverit ishte se mos kjo influenconte në marrëdhëniet tona të ardhme, se mos unë pendohesha më vonë. Ndërsa unë mendoja krejt ndryshe. Në imagjinatën time nuk do të më pëlqente ta kisha bashkëshortin moshatar, e doja të kishte disa vite më shumë se unë, pasi mendoja se kështu do të isha më e mbrojtur e njëkohësisht më “e përkëdhelur”…

SHPËRNDAJE