Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, me anë të një postimi te tijin në facebook, ka thënë se marrëveshje e pranushme për Kosovën dhe Serbinë do të ishte vetëm kur tē ndodhë ndryshimi i kufijve.

Ja postimi i z. Murati:

Marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë në mes të dy vendeve

Ashtu si qeveritë e kaluara edhe kësaj qeverie fatin do t’ia përcaktojë dialogu me Serbinë. Ashtu si edhe qeveritë e kaluara edhe kjo në raport me dialogun qëndrimet i kanë të njëjta, krejtësisht brenda kornizave të deritanishme të të menduarit dhe vepruarit. Edhe kryeministri aktual, si ata para atij, edhe pse foli kundër shkëmbimit të territorit, nuk tregoi se pse nuk duhet të ketë shkëmbim të territorit (asaj që realisht do të duhej t’i referoheshin si ripërcaktim të kufijve). Nuk tregoi se pse është e dëmshme që pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës t’i bashkohet Kosovës, dhe pjesa serbe e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut t’i bashkohet Serbisë? Nuk na tregoi pse nuk do të ishte mirë që pas një marrëveshjeje të tillë të binte Pako e Ahtisaarit që është pjesë e kushtetutës së Kosovës e që e bën shtetin tonë jofunksional dhe të varur nga pakica serbe, rrjedhimisht në rastin tonë nga Serbia? Për një gjë jam i sigurtë: edhe mund të ketë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë që nuk i prek kufijtë, por vizaton kufij e krijon asociacione të brendshme në Kosovë e që veç e dobësojnë Kosovën dhe e fuqizojnë ndikimin e Serbisë brenda saj. Por marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë në mes të dy vendeve dhe dy popujve bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje në Kosovën Lindore dhe në veriun e Kosovës.

SHPËRNDAJE