Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, njoftoi se do t’ia ul pagën vetes për 20 për qind si shenjë solidarizimi me njerëzit që po përballen me vështirësi financiare gjatë pandemisë së koronavirusit.
Ardern tha të mërkurën se paga e saj, paga e ministrave dhe e zyrtarëve të lartë shtetërorë do të ulet për 20 për qind gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Kështu, paga vjetore e saj do të zbresë nga 470 mijë dollarë zelandezë ose 225 mijë funte në 376 mijë dollarë zelandezë ose 180 mijë funte. Për gjashtë muaj, ajo do të marrë rreth 47 mijë dollarë zelandezë ose 25 mijë euro më pak.
Sidoqoftë, ajo tha se zbritja e pagave nuk do të zbatohet për shërbyesit e tjerë civilë, të cilët paguhen më pak se zyrtarët e lartë, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Zelanda e Re ka hyrë në javën e katërt të izolimit për shkak të koronavirusit. Masat e kanë paralizuar ekonominë, duke shkaktuar humbje të mijëra vendeve të punës.

SHPËRNDAJE