Kryeministri Sali Berisha u nis dje për në Romë (Itali), ku do të ketë takime me personalitetet më të larta italiane, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik shqiptaro-italian.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe nga përfaqësues të biznesit dhe medias.

Ndërsa sot, Kryeministri Berisha dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron do të zhvillojë një takim në Selinë e Këshillit të Ministrave, Palazzo Chigi, me Kryeministrin italian Mario Monti. Pas takimit, të dy homologët do të dalin në një konferencë të përbashkët për median.
Kryeministri Berisha do të pritet në një takim të veçantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano. Gjithashtu, ai do të takohet në Montecitorio me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini.

Gjatë vizitës, Kryeministri do t’i drejtohet me një fjalë Forumit Ekonomik “Shqipëria në Europë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që zhvillohet në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare.
Në prezantimin e tij, Kryeministri do të bëjë një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj. Forumi do të përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme, Giulio Terzi di Sant’Agata.

SHPËRNDAJE