Kryeministri Albin Kurti ditë më parë mbajti një fjalim pas homazheve para pllakës përkujtimore të Mon Balajt e Arben Xheladinit, që u vranë gjatë protestave të Vetëvendosjes, në shkurt të 2007-ës.Në këtë fjalë përkujtimi, Kurti foli për kërkesën për themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej, nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj, Beogradi me aq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si Zajednicë komunash pati nisur edhe Republika Serpska mbi Bosnjë e Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur se mu këtë e do Serbia”, tha ai.Sipas Kurtit, Serbia e do Asociacionin në Kosovë, sepse e pengon pluralizmi politik; sepse i do të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë t’i dirigjojë. Ai thotë se Beogradi do një “president zajednice” që ta shkel ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

“Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste, prandaj Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës parti, që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice e me atë ta shkelin ministrin tonë, të Qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. Kjo është e padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur për këtë deklaratë, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Afirmimin e Marrdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli thotë se e di profilin se kush mund të jetë Kryetar i Asociacionit kurdo që ai do të krijohet.

“Sipas të dhënave që ka Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike tash më në qarqet  ndërkombëtarë dhe serbe po përflitet profili i kryetarit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas informatave tona, ai do të jetë një politikan me merita të mëdha tek serbët e Kosovës të cilët e adhurojnë dhe kanë besim të palëkundur në pikëpamjet e ti si politikan dhe njeri shumë inteligjent”, tha Sheholli.

Sipas tij, “vlerësimet e serbëve të Kosovës janë që kryetari i Asociacionit duhet të jetë figura politike që gjatë këtyre viteve ka unifikuar serbët e Kosovës si në Veri ashtu edhe poshtë lumit Ibër dhe ka luftuar për të drejtat e tyre. Sipas të gjitha gjasave profili i këtij politikani do të jetë konform vullnetit politik të serbëve të Kosovës”.

SHPËRNDAJE