Aleksandër ÇIPA

Kjo krizë nuk zgjidhet me një rrëzim qeverie, një rrëzim i tillë është kryekëput i pamjaftueshëm dhe aq më tepër, faturë-trashë. Kjo krizë na ka larguar shumë prej “fillit” dhe mundësisë për ta kapur atë. Shpesh kemi preferuar oportunitetin e zgjedhjes së të keqes më të vogël, por sot, sipas kësaj gjendjeje, kemi vetëm shansin të jemi të rrethuar me të këqija të mëdha, për të mbërritur në dashtë Zoti, tek e keqja më e vogël.

Nuk është kaq e lehtë dhe sidomos, nuk mund të zgjidhet me një rrëzim qeverie. Kjo është krizë e thellë. E refuzuar të emërtohet si e tillë nga shumica në qeverisje dhe e përcaktuar si e tillë vetëm propagandisht prej opozitës. Tashmë “certifikimin” e ka bërë zyrtarisht Parlamenti Europian në një seancë mesnate në Bruksel. Zërat e pazbardhur plotësisht në mediat tona, të diskutimeve prej europarlamentarëve për këtë krizë, do të jetë e nevojshme të sillen të plotë, pa u hequr asnjë presje. Në ato diskutime është injoruar pretendimi i shumicës qeverisëse se i ka dhënë standardet e kërkuara Shqipërisë. Ironia apo sarkazma e dikurshme e Faik Konicës, ka qenë shumë herë më e paktë përballë shprehjeve të europarlamentarëve që kanë pasur rastin të vizitojnë si pjesëtarë dërgatash të BE-së apo të KE-së, Shqipërinë e pasviteve 2009. Batuta kumbuese dhe pohime prej të cilave turpësisht, kjo skotë e përfaqësimit politik të shqiptarëve, s’ka për t’u harruar edhe kur të mos jetë më. Një ironi bashkuese mes eurodeputetëve të majtë dhe ata të djathtë, për këtë konflikt turpërues mes me nder së majtës dhe me nder së djathtës së këtij vendi. “Vetëvrasja” institucionale, së pari përmes shembjes së imazhit dhe më pas prej humbjes së kalendarit, është ceni i ripërsëritur i udhëheqësisë PD-iste dhe asaj PS-iste në këtë vend. Kryeqeverisësi i dobësuar i këtij vendi, politikani me dy dekada histori suksesi dhe rreziqesh katastrofike për veten dhe vendin, vijon të bëjë rolin e “qafërënësit”. Një politikan ku asnjëherë s’e pranoi se deri ku e ka të drejtën dhe se ku e shfaq recidivizmin. Një politikan i pakohë dhe i pacikël. Refuzant patologjik i demokracisë institucionale dhe tribun zëngjirur i demokracisë populiste. Një individ me vokacion të lartë politik që kurrë nuk e dha një provë të verifikimit të lëndimit që i shkakton kësaj shoqërie dhe këtij populli përmes marrëdhënies konfliktuale që mban apo, herë-herë edhe i imponohet, prej kundërshtarit të tij me moshë theksueshëm më të re, se e tija.

Në këtë vend, institucioni i vetvetes nuk mund të ngrihet kurrë, ndërsa kulti i vlerësimit të të huajit, vijon të madhohet si një tregues i vet’he-mohimit.

Kjo është një krizë e cila ka mavijosur dhe vijon të mavijosë së pari, shtatin e politikës dhe të institucionalizmit shqiptar. Kjo krizë ka prekur, ka bjerë dhe ka gjymtuar, interesa të rëndësishëm kombëtare. Për shkak të saj, ne po fshehim dukjen e pusit të thellë të rënies ekonomike dhe sidomos, po humbasim shikimin apo drejtparjen për treguesit strategjikë të marrëdhënies ekonomike dhe financiare me tregun ekscentrik kombëtar dhe me koniunkturën e rrezikuar rajonale e europiane. Kjo krizë na ka hequr shikimin nga orteku i rreziqeve që afrohet prej situatës dhe gjendjes te fqinjët dominantë. Kjo krizë është “shkuma” e krizës së rëndë morale e shpirtërore. Kjo krizë e ka zhbërë referencën themelore që mban në funksionim sistemin dhe i ka dhënë fytyrës së sotme të shtetit imazhin e shtet-gjullurdisë dhe shtet-tribusë. Propaganda dhe demagogjia janë fryma që qeverisës të dehur me suksesin e vetëshpallur i vërvisin në fytyrë kundërshtarit të tyre opozitar. Ky i fundit, i lodhur nga pritja në gjashtë vjet opozitë, i rraskapitur nga iluzioni i zvarritjes nëpër maratonën e pamençur të protestave që janë rishtaz-emëruar demonstrata, por edhe i gjendur në anemizmin e vet politik, nuk ka kohë të merret me një projekt konkurrues. Në këtë zvarritje dhe patologji konflikti i shumicës i hiqen “pafka” korrupsioni për arsye argumenti dhe opozitës i hidhen “bulci përbaltjeje” për të balancuar akuzimin dhe ndërgjegjen e llagëmtë. Kjo është kriza që na solli në pagëzimin e ri të Shqipërisë së trazuar. Paturpësisht këtë krizë, dikush e fsheh, e dikush e bën edhe më trembëse. Një dëshirë politike për të na i vështirësuar edhe më tepër leximin e së ardhmes dhe, sidomos për të na bërë ne prindërit e 2011 që ishim studentë të 1990-s, pesimistë si prindërit tanë në hyrje të kësaj epoke. Kjo ofertë ngjashmërie në kohë të pangjashme, është vetëm dëshmi e shpirtzymtësisë që ka kjo skotë politike.

Kjo krizë e fshehur dashakeqësisht, për motive të qeverisjes me zvarritje dhe me ndërgjegje të korruptuar, u fsheh nën termin e “ngërçit”. As u parandalua e as u pengua. Thellësia në rritje e saj, u refuzua në gati dy vjet, përmes polemikash dhe debatesh shterpë në raportin pozitë-opozitë. Midis Sali Berishës dhe Edi Ramës nuk ka një ditë, në këto dy vjet, të ketë pasur një çast llogaritës për koston e shumëfishtë që u është shkaktuar  individit, shtetit, administratës, shoqërisë, kombit dhe sidomos ardhmërisë së dëshiruar për të qenë dikur, anëtarë të BE-së. Kjo lojë në pamjen dhe brendinë e një lufte, madje plotësuar në 21 janar edhe me viktima gjakderdhura, s’është kaq e thjeshtë nga sa e komentojmë në përditshmëri.

Kjo krizë nuk zgjidhet me një rrëzim qeverie, një rrëzim i tillë është kryekëput i pamjaftueshëm dhe aq më tepër, faturë-trashë. Kjo krizë na ka larguar shumë prej “fillit” dhe mundësisë për ta kapur atë. Shpesh kemi preferuar oportunitetin e zgjedhjes së të keqes më të vogël, por sot, sipas kësaj gjendjeje, kemi vetëm shansin të jemi të rrethuar me të këqija të mëdha, për të mbërritur në dashtë Zoti, tek e keqja më e vogël.

* Autori i komentit Aleksandër ÇIPA është kyreredaktor i gazetës SHQIP-Tiranë

SHPËRNDAJE