Autoritetet e Kosovës janë duke përgatitur të rinjtë për tregun e punës, në mënyrë që këta të fundit të gjejnë punë sezonale në vendet e ndryshme të botës dhe po ashtu edhe në Kosovë, thonë përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Megjithatë, ata theksojnë se kriza në eurozonë do të ketë efektet e negative në punësimin sezonal të kosovarëve.

Këshilltari për media në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti pritet të ketë punësime sezonale në disa vende të Evropës, por që pritjet nuk duhet të jenë të mëdha, për shkak të situatës ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian.

“Punësimi sezonal është një çështje pak delikate dhe e vështirë për ta realizuar. Ne kemi vazhduar biseda me vendet e BE-së, por është një problem në atë se këta punëtorë, të cilët shkojnë për punë sezonale në këto vende, duhet të kthehen në Kosovë dhe ne duhet t’u garantojmë këtyre vende që punësimi sezonal nuk do të përdoret për çështje tjera. Po ashtu, një probleme tejet i theksuar është edhe kriza në eurozonë”, thotë Gaxhiqi.

Ndryshe, në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 250 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën. Por, thuhet se ky numër mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

Këshilltari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, thekson se për këta të papunë janë duke bërë përpjekje për trajnimin dhe aftësimin e tyre, në mënyrë që, siç thotë ai, në momenti kur tregu i punës i kërkon, këta të papunë të jenë të gatshëm të punojnë.

“Edhe në vitin e kaluar, edhe në këtë vit do të ketë mbështetje në ndërmjetësim, aftësim dhe trajnim, sidomos të të rinjve për tregun e punës, në mënyrë që të mos jenë pasivë dhe në momentin që i kërkon tregu i punës, ata të jenë të aftë të punojnë. Aktualisht, kemi një marrëveshje për punësim sezonal të studentëve me Gjermaninë dhe po ashtu gjatë këtij viti do të ketë shumë projekte që do t’i realizojmë”, shpjegon Gaxhiqi.

Në anën tjetër, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk janë aspak të kënaqur me punësimin sezonal. Ata thonë se deri më tani, ka pasur shumë pak punëtorë, të cilët kanë punuar punë sezonale në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian. Hasan Abazi nga BSPK-ja kritikon autoritetet kosovare që nuk janë treguar të suksesshme në këtë çështje.

“Një punësim sezonal ndoshta do të ketë një efekt për një kohë, por efekti do të jetë më i madh nëse autoritetet kosovare do të gjenin punë të qëndrueshme. Ndryshe, deri më tani janë harxhuar miliona euro për projektet, të cilat kanë të bëjnë me punësim sezonal e që nuk kanë dhënë efekte e duhura”, thekson Abazi.

Ndërkohë, sa i përket përgatitjes profesionale që kanë këta të papunë, edhe Hasan Abazi nga BSPK-ja, thotë se shumica nga këta të papunë nuk kanë profesione, të cilat i kërkon tregu i punës, si në Kosovë, ashtu edhe në shtetet tjera.

“Për fat të keq edhe këtu kemi një problem, kemi një gjeneratë të madhe të të papunëve, të cilët nuk kanë kualifikime përkatëse për tregun e punës. Sot mungojnë ato kualifikime që janë më të rëndësishme, si metal-punues, saldues etj, që i kërkon tregu i punës. Shumica e njerëzve që janë të papunë për fat të keq nuk janë të përgatitur për punë”, shton Abazi.

Ndryshe, Abazi thotë se u mbetet autoriteteve kosovare që t’i aftësojnë këta të papunë pikërisht në ato profesione që i kërkon tregu i punës.

SHPËRNDAJE