Në Berlin po zhvillohet Java e Gjelbër, pikërisht në kohën e krizës më të madhe ushqimore në botë, e ashpërsuar pas fillimit të luftës në Ukrainë. Ekspertët e politika paraqesin një gjendje dramatike.

Në panairin më të madh ushqimor në botë, Javën e Gjelbër në Berlin kanë ardhur për prezantim 1400 ekspozues nga 60 vende. Kudo aroma dhe gatime, mijëra njerëz shëtisin duke u përtypur. Por ka edhe një anë tjetër të këtij panairi.

Në sallën e konferencavë u mblodhën në fundjavë 2000 përfaqësues nga e gjithë bota, ekonomia, shkenca, shoqëria civile dhe politika, 64 ministra bujqësie me ftesë të Ministrit gjerman të Bujqësisë në konferencën “Global Forum for Food and Agricultur”e (GFFA) për të diskutuar mbi të kundërtën e asaj që shikon në hollet e mëdha të panairit – urinë në botë.

Dy milliardë njerëz nuk ushqehen mjaftueshëm

“Të transformohen sistemet e ushqimit, një përgjigje ndaj multikrizave” -ishte tema e konferencës. “Krizat ndikojnë e forcojnë njëra-tjetrën”, konstaton ministri gjerman i Bujqësisë Cem Özdemir (Të Gjelbrit). Lufta përshpejton spiralen në rënie, që është në rrotullim të shpejtë edhe si pasojë e krizës së klimës dhe shuarjes së llojeve. “Dy miliardë njerëz në planetin tonë nuk kanë qasje të mjaftueshme, qasje të sigurtë në vazhdimësi tek ushqimi.”

Numri i njerëzve të uritur në botë është rritur në tre vitet e fundit nga 150 milionë në 823 milionë. Gjysma e tyre jeton në Azi dhe Afrikë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 282 milionë njerëz nuk janë të ushqyer sa duhet. Objektivi i OKB-së që t’i japë fund urisë në botë për shumicën e këtyre njerëzve deri në vitin 2023 duket shumë larg që të arrihet.

Pa sukses kanë qenë edhe përpjekjet e deritanishme për mosprekjen e sistemeve globale të ushqimit nga krizat. Komisarja për Bujqësinë e Unionit Afrikan, Josefa Sacko thotë se 38 vende në kontinentin afrikan janë të varura nga importet e ushqimit. “Që para pandemisë COVID-19 ne kishim probleme me konfliktet, terrorizmin, me ndryshimin e klimës”, thotë Sacko. “Kjo pengonte çdo progres në lidhje me ushqimin e popullatës sonë. Por pastaj erdhën pandemia dhe konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës.”

“Dy ciklonë me përmbytje sidomos në jug të vendit e prekën shumë Malauin në vitin 2022 thotë Samuel Dalitso Kawale, ministër për Bujqësinë i Malauit, një vend shumë i varur nga ndihma e huaj. “Tokat tona nuk janë të mira”, por në të ardhmen sipas ministrit, për shkak të ndikimit të ndryshimit klimës do të prodhohet gjithnjë e më pak në vend.”

Më pak tokë në dispozicion, më shumë njerëz të urritur

Edhe ministri agrar i Bangladeshit, Abdur Razzaque raporton për probleme jo vetëm me përmbytjen, thatësirën por edhe për kriposjen e tokave. 60% e tokës nuk është më pjellore, thotë ai, edhe për shkak të mbjelljes intensive. Në një kohë që ne duhej të dyfishonim prodhimin që të ushqejmë popullsinë në Bangladesh. “Jemi para sfidave të mëdha”, konkludon Razzaque.

Gjendja e krizës në të cilën ndodhet bota nuk do të ndryshojë kaq shpejt, thotë Jason Clay nga organizata World Wildlife Fund (WWF), që trajton pasojat e prodhimit global të ushqimit. Madje pritet edhe keqësime. “Veç kësaj, nëse shohim parashikimet, deri në 1,5 miliardë vetë do të bëhen refugjatë për shkak të ndryshimit të klimës.

Bota kërcënon të ketë krizën më të madhe ushqimore që nga Lufta e Dytë Botërore, thekson ministri gjerman i bujqësisë, Cem Özdemir. “Tek e vërteta bën pjesë, se deri në vitin 2030 kemi 8 të korra. Nëse premtimi i OKB që të mposhtë urinë nuk është thjesht një fjalë goje atëherë duhet të bashkësia ndërkombëtare të angazhohet të bëjë domosdoshmërisht diçka.”

Ajo që mungon është një koncept i koordinuar botëror, kritikon raportuesi i posaçëm i OKB për të drejtën e ushqimit, Michael Fakhri. Problemet më të mëdha janë kriza e borxheve dhe stanjacioni prej dekadash në sistemin e tregtisë botërore. “Nuk durohet që një numër i vogël vendesh të fuqishme ta bllokojnë aftësinë për koordinim ndërkombëtar dhe bashkëpunim.”

Para të shpenzuara gabimisht

800 miliardë dollarë japin qeveritë në botë për të subvencionuar ekonominë bujqësore. Subvencionet janë gjëja e duhur dhe të rëndësishme thotë zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Zhvillimin e Qëndrueshëm, Jürgen Vögele. Por 80% e fondeve shprenzohen gabimisht për plehra kimikë, pesticide dhe farëra, që vijnë nga koncernët ndërkombëtare. “Subvencionet nuk përdoren për luftën kundër ndryshimit të klimës dhe ngritjen e një ekonomie bujqësore të fortë ndaj krizave.”

Edhe ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir e pranon se në të shkuarën janë bërë gabime. Për shembull eksporti i produkteve bujqësore në Afrikë. “Ne jemi krenarë për ekonominë e fortë bujqësore europiane. Por tek e vërteta bën pjesë edhe kontriibuti ynë që në pjesë të afrikës tregjet vendase si ai për pularinë, qumështin nuk kanë më shanse, sepse perspektivat ekonomike janë shkatërruar.

Kush e ka seriozisht me sigurinë e ushqimit duhet të forcojë tregjet vendase në Afrikë dhe të mbështesë vetëfurnizimin. Ndoshta në të ardhmen qëllimi duhet të jetë të ndërtohen rezerva drithërash në vend që të dërgohen thasë me drithëra, u shpreh Özdemir në konferencë në Berlin.

Gjermania dhe BE duhet të jenë më prezentë në Afrikë në të ardhmen, tha Özdemir. “Ne nuk duhet t’ua lëmë fushën shteteve autoritare, që janë aty aktive dhe përmes investimeve të tyre krijojnë varësi të reja.” Özdemir nënshkroi në Berlin edhe një Marrëveshje Partneriteti Bujqësor me Unionin Afrikan, në të cilën Gjermania do të ofrojë ndihma për ndryshimin ekologjik të ekonomisë bujqësore dhe tranformimin e sistemeve ushqimore./ DW

SHPËRNDAJE